Një lloj puritanizmi ndaj erosit në letërsi është shfaqur kudo në forma të ndryshme. Për të mbetur në “trojet tona”, nuk mund të mos kujtosh se ndonjë përpjekje e vetmuar e ndonjë shkrimtari si Petro Marko, tingëllonte si një oratorio e trishtuar e dikujt te dera e burgut. Por megjithatë ka një paradoks interesant, të cilit nuk i kalon dot anash. Ndërsa në letërsinë e kultivuar kishte raste që autorët kritikoheshin rëndë edhe kur evokonin aventurën e një puthjeje sapo të pafajshme, një gjë e tillë ka të ngjarë që bënte të qeshnin nën mustaqe rapsodët popullorë.
Ndërsa organizoja një cikël bisedash rreth epikës legjendare, një bashkëpunëtorja ime e Radios, më njohu me fondin e lirikës erotike të Institutit të folklorit. Një thesar i jashtëzakonshëm, një pasuri e vyer baladash të mrekullueshme e të drejtpërdrejta përshkrimesh të detajuara malli e dëshire që të krijonte përshtypjen se shqiptarët janë një popull erotik. Që “trimave” u ka kënduar kur kishte kohë, se zakonisht shqetësimi i i tij kryesor ishin “vashat”.
Në tërësi letërsia shqiptare mund të thuhet se e zbuloi seksin pas viteve ’90. Por ra menjëherë në sy se kishte një keqkuptim. Të kuptohemi, ka kudo edhe një letërsi erotike, ku vetë erosi është thelbi dhe qëllimi i saj. Por nuk po flasim për të. E kam fjalën për letërsinë që mëton diçka tjetër. E pra pikërisht te “kjo tjetër” në shumë raste binte në sy se skenat erotike dhe përshkrimet e marrëdhënieve intime, seksuale, kishin një logjike të tyre disi kaotike që nuk kishte shumë lidhje me subjetktin apo natyrën e personazhe. Si të qe një shtesë, një mësymje mamlukësh për të mbushur një boshllëk, në mos për të shuar një uri. Ishte nuhatur se kishte një “treg” por ajo që u ofrua ishte një mall i dyshimtë
Me tej pastaj dora dorës po kuptohej se erotika është domen mjaft subtil dhe delikat, që e karakterizon dhe flet për një personazh po aq së përshkrimi që i bëhet nga autori.
Këtu më vjen ndërmend mjeshtria e lartë e M. Kutelit fvj. te Vjeshta e Xhaladin Beut ku ai përshkruan një qasje seksuale të tmerrëshme “asimetrike”, që të lë një passhije katastrofe, do të thoshte Markezi. Por e gjitha kjo është në funksion të strukturimit të një personazhi letrar të vërtetë dhe madje edhe te vetë epokës.
Vonë rilexova versionin e ripunuar të romanit Kështjella të Kadaresë. Ripunimi ishte mjaft i dukshëm (A. Vehbiu ka një studim për të) dhe me ra në sy se ishin shtuar edhe një serë skenash intime të Pashait me gratë e haremit të tij. Nuk m’u duk se i shtonin gjësendi atij romani. Në origjinë ai është konceptuar pa to dhe krijova përshtypjen se gjithçka ishte bërë për të kapur disi kohën. Jo gjë e nevojeshme, per mua.
Ja një nga skenat e para që na paraqitet: “ …Ia vështroi një copë herë seksin, gati i befasuar nga mugullima e leshnajës, që eunuku s’kishte patur mundësi t’ia hiqte si zakonisht. Me atë hije sipër, seksi i vajzës po i dukej disi i huaj edhe më i dëshirueshëm…. Ia hapi këmbët ngadalshëm dhe ndyshe nga zakonisht, lëndimthi, si të kishte frikë se do ta dëmtonte, e depërtoi..”
Këtu jam i vetëdijshëm se për ca dallkaukë vepra e Kadaresë është mbyllur brenda një sarkofagu të vjetër dhe për të nuk diskutohet më, veç thuren litanira. Por gjërat janë shkruar dhe çuditërisht, duke ruajtur raportet, kjo qasje e Kadaresë ndaj seksit (ka shumë të tilla) nuk mund të mos më kujtojë më pas ndonjë varg të Rita Petros te cikli i saj “Kujdes-film me pullë” edhe pse duhet thënë se erotizmi i poezive të saj, krejt i paparë, duhet interpretuar si një protestë e frymës otomane që imponoi “morali i pastër proletar” i regjimit komunist mbi letërsinë shqipe.
Por mbase pikërisht për këtë ndaj saj u ngrit një stuhi e tërë.
Me R. Petron dolëm te një fakt interesant se erotika qoftë edhe e nënkuptuar është mjaft e pranishme në poezinë e sotme shqipe. Dhe shpesh te poete gra. Vonë më tërhoqi këtu në fb një poezi e Miranda X. Shehut, një lodërzim rimash e ritmesh ku ajo eksploron intimitetin e marrdhënieve të saj “me burrin”.
Qe një himn i bukur i jetës!
Inovativ është edhe Arber Ahmetaj, veçanërisht në ndonje poezi me tonalitete të tilla erotike ku përshkruan pubisin e “Ish të dashurave të tij të dashura”.
Më fort e nënkuptueshme një gjë e tillë verehet te romani i S. Çapalikut “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, me saktë gjithçka jepet te konotacionet e kursyera sentimentale kur flet për kompozitorin P. Gaci që kompozon këngën « Ky merak »
Ndonjë autor më i ri si Liridon Mulaj, synon që në tregimet e tij (të paktën në ndonjë që i kam lexuar) t’i japë një dimension shpirtëror marrëdhënieve intime.

Autorë si Ylljet Aliçka e Virion Graçi kujdesen posaçërisht shume që natyra e marrëdhënieve seksuale të jetë në funksion të mjedisit, atmosferës dhe kohës kur zhvillohen ngjarjet. Seksi për seks nuk u intereson fare.Te romani i fundit i Aliçkës “Histori njerëzish të zakonshëm” shohim zhveshjen e marrëdhënieve seksuale nga çdo ndjenjë, sa të duket se vepron thjesht një logjikë e mekanikës seksuale: Ti si e do, kështu apo ashtu?
Edhe V. Graçi është veçanërisht i kujdesshëm për të na dhënë vrazhdësinë dhe prozaizmin e marrëdhënieve seksuale, si një zgjatim i vrazhdësisë së kohës kur zhvillohen ngjarjet.
Shkruan në një rast: “…Burrat e UP-së kishin sjellje të reja, energjike dhe të befasishme. Mjaftonte ulja poshtë e pantallonave të burrit dhe e mbathjeve të femrës, gjysma e sipërme e trupit e veshur si zakonisht, dhe kryhej puna, me përqendrim e vendosmëri, në djall stërhollimet e klasave parazite të rrënuara prej revolucionit. (Pëllumbat i vrasin natën, fq. 118 ».
Natyrisht, interesi i temës kërkon përqasje më sistematike dhe shënimet e mia nuk janë asgjë më shumë se mbresa të hedhura shpejt e shpejt në bazë të përshtypjeve që më kanë lënë leximet e rastit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: