Deputeti i Partisë Demokratike Igli Cara ishte sot në fshatin Perlat, ku ka deklaruar se ajo që ka ndodhur me përmbytjet tregon papërgjegjshmërinë e institucioneve. qofshin ato qendrore apo lokale.
Ai u shpreh se duhet ndërhyrje urgjente, kjo për shkak se priten prurje edhe më të mëdha nga lumi i Erzenit, çka pritet të përkeqësojë situatën.
“Jemi në rrugën e Perlatit, nga dalja e mbrëmshme e lumit Erzen ka shumë prurje uji. Edhe rruga është e bllokuar dhe shumë banesa janë prekur dhe janë nën ujë. Kjo vjen edhe për shkak se hidrovotri i Hamallit prej ditësh është jashtë funksionit. Kjo tregon papërgjegjshmërinë e institucioneve në nivel qendror dhe lokal. Duhet një ndërhyrje e shpejtë pasi mund të kemi sërish hapje të disa argjinaturave dhe përmbytje edhe më të mëdha. Lumi Erzen do të ketë prurje edhe më të mëdha edhe për shkak të hapjes së Bovillës. Jemi në zonë kritike që përmbytjet do të vijojnë. I bëjmë thirrje qeverisë t’i thonë boll propagandës dhe fotove dhe t’u vijnë në ndihmë qytetarëve”, tha ai.
