Në një sezon ku qëndrueshmëria dhe kontributi individual kanë bërë diferencën për Vllazninë, një nga emrat që spikat në mesfushë është Esat Mala.

Mesfushori kuqeblu po zhvillon një edicion pozitiv, duke lënë gjurmë si në fazën sulmuese ashtu edhe në ndërtimin e lojës, me 3 gola dhe 8 asistime deri në këtë pikë të kampionatit. Ajo që bie në sy është një “raport i veçantë” i Malës me kundërshtarin e radhës, Teutën.

Durrsakët duket se janë kundërshtari i preferuar i prizrenasit, pasi nga 3 golat e realizuar këtë sezon, 2 prej tyre kanë ardhur pikërisht përballë bregdetarëve. Fillimisht, në barazimin 1- 1 të fazës së parë në stadiumin “Niko Dovana”, Mala gjeti rrugën e rrjetës duke i dhënë rëndësi pikës së marrë në transfertë.

Më pas, ai u shfaq sërish vendimtar në fazën e tretë, ku Vllaznia triumfoi 0-1, me mesfushorin që vulosi fitoren e kuqebluve. Tashmë, te Vllaznia shpresojnë që historia të përsëritet edhe në sfidën e ardhshme. Numri 20 pritet të jetë sërish një armë e fortë në repartin ofensiv, me besimin se mund të ngrihet në piedestal përballë Teutës dhe të japë një tjetër kontribut vendimtar në rrugëtimin e skuadrës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb