Kryeministri Edi Rama tha nga Kreta, në Greqi se shqiptarët nuk do të presin më 15 vite për t’u pajisur me pasaportën e shtetit ku jetojnë dhe punojnë.
Duke e konsideruar anëtarësimin e Shqipërisë në BE si të mundshëm deri në vitin 2030, Rama tha se çdo shqiptar do të ketë pasaportën europiane.
“Kijeni parasysh që pasaporta shqiptare e BE është njësoj, si ajo greke e BE. Me pasaportën shqiptare mund të qëndroni këtu, të punoni, ta transferoni këtu çdo të ardhur nga pensioni atje, dhe shteti këtu duhet dhe ju njeh që në momentin që merrni pasaportën për punën që keni bërë këtu”, veçoi Rama.
Deri në vitin 2027, theksoi kryeministri, Tirana zyrtarë do të ketë përmbyllur procesin e negociatave me BE dhe pas këtij momenti do të presë dritën jeshile të Brukselit për anëtarësimin zyrtar.
Edi Rama: Në 11 maj të votojmë bashkë aty ku gjendet forca e duhur në kohën dhe vendin e duhur që atë pasaportën që mund t’ju duhet edhe 10-15 vite ta merrni nga shteti grek, ta merrni nga shteti shqiptar si pasaportë e Bashkimit Europian. Kijeni parasysh që pasaporta shqiptare e BE është njësoj, si ajo greke e BE. Me pasaportën shqiptare mund të qëndroni këtu, të punoni, ta transferoni këtu çdo të ardhur nga pensioni atje, dhe shteti këtu duhet dhe ju njeh që në momentin që merrni pasaportën për punën që keni bërë këtu.
Me pasaportën shqiptare të BE jeni njësoj jo vetëm në realitetin e përditshëm por edhe në atë të ligjit, qytetarë europiane të barabartë me të njëjtat lirie të drejta. Pavarësisht se një nga ju e ka pasaportën apo dokumentet, momentin që të gjithë bashkë keni pasaportën shqiptare të BE bëheni jo vetëm të barabartë në të gjitha, por edhe po aq sa edhe grekët e çdo europian tjetër subjekt i të gjitha shërbimeve që ky vend dhe çdo tjetër i BE i jep shtetasve të tij.
Ka vetëm një përgjigje, është në dorën tuaj. Është vota e 11 majit që Shqipëria deri në 2027 të mbyllë negociatat dhe brenda dekadës të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE.
(BalkanWeb)
