Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka kërkuar shtyrjen e seancës në Komisionin për Infrastrukturën, për shkak të mungesës së zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila duhet të ishte e pranishme për prezantimin e projekbuxhetit 2026.

“Ministrja prej 2 javësh është me statusin e të pandehurit me një akuzë zyrtare nga SPAK”, tha ai.

Deputeti demokrat theksoi se Belinda Balluku nuk mund t’i japë të drejtë zv.ministres për ta përfaqësuar në Komision, duke kërkuar nga mazhoranca që të zbatojnë rregulloren.

Belind Këlliçi: Në nenin 80, pika 1 e rregullores së Kuvendit, është e shkruar e zezë mbi të bardhë. Në përputhje me kalendarin e punimeve, sipas nenit 79 pika 2 e kësaj rregulloreje, Sekretariati për buxhetin e Kuvendit, komisionet e përhershme, sipas fushave që mbulojnë, organizojnë punë për shqyrtimin e projektligjit të buxhetit të shtetit dhe të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Në mbledhjet e komisioneve marrin pjesë ministrat, relatori kryesor dhe sipas rastit relatorët e veçantë, të cilët bëjnë paraqitjen dhe japin shpjegimet përkatëse.

Është shumë e qartë në pikën një të rregullores që nuk ka alternativë përveç ministrit që relaton para këtij komisioni. Për sa kohë ne do t’i përmbahemi rregullores së Kuvendit, pa as edhe një diskutim, të gjithë deputetët e nderuar të këtij komisioni, por dhe ata që kanë ardhur të marrin pjesë në këtë komision pasi ja lejon rregullorja, kanë ardhur të përgatitur për të drejtuar pyetje drejt ministres së infrastrukturës në raport me projektbuxhetin dhe në raport me situatën e fundit ku është bërë i ditur skandali në tunelin e Llogarasë. Nëse këto do të ishin pretendime të opozitës, ju mund të kishit të drejtë të thonit që këto janë qëndrime politike dhe këto janë pretendimet tuaja si forcë politike. Por jo, në këtë rast, prej dy javësh, ministrja e infrastrukturës është me statusin e të pandehurës. Pra kemi të bëjmë me një zyrtar të shtetit, që deri më tani ka marrë pjesë në takime jashtë Shqipërisë, përfaqëson vendin tonë, ndërkohë që është marrë e pandehur me një akuzë zyrtare nga Prokuroria e Posaçme.

Dhe për sa kohë ne kemi të bëjmë me një situatë në të cilën vetë rregullorja e këtij kuvendi të nderuar nuk na jep një alternativë në rast të mungesës së ministrit, por e vetmja alternativë që mund të kemi është të riskedulojmë në një moment tjetër orarin dhe ditën ku ministrja të vijë para këtij komisioni të nderuar dhe të relatojë në lidhje me projektbuxhetin për vitin 2021… gërmë tjetër të kësaj rregulloreje, nuk i jepet e drejta zëvendësministrave apo një zyrtari tjetër të shtetit për të përfaqësuar rolin e titullarit të institucionit në momentin që vjen projektbuxheti për t’u diskutuar në këtë tryezë. Ju keni parë dhe ditën e djeshme dhe ditën e sotme, në të gjitha komisionet e tjera kanë qenë titullarët e institucioneve që kanë relatuar dhe që janë përballur me pyetjet e opozitës. Kështu që, për të qenë korrekt, duke qenë se është e disata herë që jemi bashkë, zbatoni rregulloren dhe do të keni normalitet në këtë, në këtë tryezë.

Klotida Bushka: Në mungesë, bëhet nga zv.ministrat. Unë do i bëj thirrje kolegëve deputetë të vijojmë seancën për dëgjimin e pr.buxhetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb