Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar për perspektivën e qeverisë së re që pritet të prezantohet nga kryeministri Edi Rama në ditët në vijim.
Ai u shpreh skeptik për ndonjë ndryshim thelbësor në drejtimin e vendit, duke e cilësuar Ramën si figurën që kontrollon gjithçka në ekzekutiv.
“Treçerekun e kabinetit aktual qeveritar nuk e njoh, jo sepse më mungon interesi politik, por sepse aty nuk ka figura me zë, me autoritet apo që realizojnë politika të qarta,” u shpreh Boçi. Sipas tij, ministrat janë thuajse inekzistentë në skenën publike dhe politike, pasi të gjitha vendimet merren nga një njeri i vetëm.
“Gjithçka fillon dhe mbaron me Ramën. Ai është ai që jep urdhra edhe përtej ligjit, shpik çdo ligj për të marrë më shumë autoritet,” theksoi Boçi, duke shtuar se nuk pret asnjë ndryshim të vërtetë nga kabineti i ri qeveritar.
Boçi tha gjithashtu se në qeverinë e Ramës ekziston një rreth i ngushtë besnikësh që mbrohen politikisht dhe ligjërisht. “Afër vetes ka 2-3 figura që i promovon dhe i mbron para drejtësisë. Ajo është kupola kryesore e partisë atje,” përfundoi ai.
