Avokati i Saimir Tahirit, Maks Haxhia, ka zbërthyer mesazhet e koduara të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të dhëna sot në sallën e gjyqit, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, teksa kjo e fundit pritet të japë vendimin final në orën 16:00.

Duke folur për për News24, për gazetaren Klodiana Lala, në përfundim të seancës gjyqësore, avokati Haxhia tha se është çmenduri të dënohet ish-ministri Tahiri, kur gjykata nuk ka as edhe një provë të vetme kundër tij.

Prokuroria thotë që ka nisur hetimi që në vitin 2016 …
Prokuroria tha që jeni neve ata që e kemi nisur në korrik 2016, ndërkohë që po në këto fashikuj, Tahiri dhe avokatët, rezultonte që Policia e Vlorës kishte informuar. Sot, ju referuan shkresave, që ishin pjesë e dosjes dhe që i ka futur vetë Prokuroria. Si ka mundësi që qenkan pjesë e bandës dhe po ata bëjnë kallëzim. Kjo Prokurori e pezulloi dosjen dhe e hapi pas katër muajve.

Tahiri ka thënë se procesi ndaj tij është i montuar politikisht, si mendoni ju?
Unë kurrë nuk e kam ngatërruar profesionin tim me politikën. Mbrojtjen time kam zgjedhur ta bëj në aspektin juridik. Ky proces nuk ka fat tjetër, ka vetëm pafajësinë.

Tahiri ka përmendur Ramën, duke thënë se “nuk jemi ne shefat e mëdhenj në përgjime, Rama është shefi im i madh në politikë”, a mund ta zbërtheni pak mesazhin?
Shqipja është e bukur dhe e larmishme. Tahiri tha “si e keni hetuar ju prokurorët që jam unë shefi i madh”, në kontekstin që prokurorët s’kanë bërë hetim. Tahiri thotë “aq të apasionuar jeni për të më bërë me faj, sa thoni se unë jam shefi i madh, kur unë kam qenë në takime zyrtare, me Komisionierin dhe pastaj me Ramën”. Tahiri thotë që “në krim nuk jam unë shefi i madh, por në politikë shefi i madh dihet kush është”.

Akuzat e Tahirit se “ka persona me vëllezër trafikantë që s’mbajnë përgjegjësi” ishin për Xhafajn”
Nuk është e vërtetë, unë e kuptova në një parim të drejtpërdrejtë dhe universal. Njeriu mban përgjegjësi vetëm për veprimet e veta. E ka në kontekstin që nuk mban përgjegjësi as për vëllain njeriu, dhe jo për kushërinjtë. Nuk ka lidhje me Xhafajn.

Ishte thuajse në lot Tahiri …
Nuk ishte në lot, ai ka dhënë mandatin për këtë, ka treguar se është burrë. Ishte një gjendje emocionale, sepse vihet në rrezik jeta e tij. Në vend që të vlerësohej për punën si ministër, ai vihet përballë akuzave, kur nuk ka asnjë provë. Të gjykosh ish-ministrin për vepra tepër të rënda, pa asnjë provë, është të ulërasësh, të hipësh mbi tavolina. Me aq sa e njoh dosjen dhe e njoh shumë mirë, nuk e di ku gjykata, në rast çmendurie, do ta gjejë një provë të vetme.

A mundet gjykata të bëjë kualifikimin ndryshe të veprës penale, ta dënojë psh për shpërdorim detyre?
Ligjërisht e ka një të drejtë të tillë. Nëse faktet nuk e bindin gjykatën se jemi përpara trafikimit, mund të japë shpërdorim detyre. Por, prapë duhet të gjejë ku e ka shpërdorur detyrën.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb