Ethet e derbit të Milanos janë në kulm. Të dielën në mbrëmje, Milan dhe Inter përballen në stadiumin “San Siro”, në një ndeshje që pritet të luhet para një stadiumi të tejmbushur. Interesi është maksimal dhe Milani pritet të regjistrojë rekordin e të ardhurave për një ndeshje shtëpie në Serie A.
Në kampin zikaltër, vëmendja është te Hakan Çalhanoğlu, i cili synon të jetë protagonist pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij. Mesfushori turk është rikthyer së fundmi pas dëmtimit dhe trajneri Cristian Chivu ende po vlerëson nëse do ta aktivizojë nga minuta e parë. Në mungesë të Lautaro Martínez, shiritin e kapitenit pritet ta mbajë Nicolò Barella.
Nga ana tjetër, te Milani trajneri Massimiliano Allegri ka disa probleme në mbrojtje për shkak të mungesës së Matteo Gabbia. Para portierit Mike Maignan pritet të rreshtohet treshja Fikayo Tomori, Koni De Winter dhe Strahinja Pavlović.
Në sulm, shpresat e kuqezinjve mbështeten te dyshja Rafael Leão dhe Christian Pulisic, që pritet të udhëheqin ofensivën në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Gjithçka është gati për një tjetër spektakël në derbin e Milanos, një përballje që mund të ndikojë ndjeshëm në garën për titull në Serie A. Diferenca për momentin është 10 pikë. Milan do të tentojë vetëm fitoren, nëse dëshiron t’i jape vetes mundësi të vijojë rrugëtimin drejt titullit, çdo rezultat tjetër do të afronte ndjeshëm Interin drejt scudettos numër 21.
