Kombëtarja shqiptare ndodhet në një grup “ferri” në Europianin e Gjermanisë ku do të përballet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.

Padyshim tri kombëtare të mëdha, por për Silvinjon asgjë nuk është e pamundur, teksa përgatitja për këto ndeshje ka filluar që javën e shkuar. Trajneri me stafin teknik kanë analizuar përballjet e fundit që Italia, Spanja dhe Kroaci kanë luajtur sepse në kohët e sotme, teknologjia ta mundëson më së miri një gjë të tillë dhe informacioni për kundërshtarin është tepër i zgjeruar, madje deri në detaje, pavarësisht se strategjia kur përballesh me ta mund të jetë ndryshe.

Por, “Panorama Sport” zbulon edhe sesi janë ndarë detyrat në stafin teknik në analizën e rivalëve. Braziliani Silvinjo është marrë me videot e ndeshjeve të Italisë, ndihmës trajneri Doriva me ato të Kroacisë dhe ndihmësi tjetër, Pablo Zabaleta, me përballjet e Spanjës. Një analizë që vlen për të njohur më shumë karakteristikat, lëvizjet, skemat e ekipeve kundërshtare dhe për të marrë masat e duhura në fushë në përballjet që kuqezinjtë do të luajnë në Europian.

Pas dy sfidave miqësore me Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanin, në muajin qershor Shqipëria do të nisë edhe rrugëtimin në Europianin “Gjermani 2024”. Më datë 15 qershor kuqezinjtë do të luajnë takimin e parë kundër Italisë, në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë, duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë kundër Spanjës më datë 24 qershor, në stadiumin “Dusseldorf Arena”, në orën 21:00.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: