“Topi i Artë” këtë vit ka mbërthyer tifozët kudo në botë, pasi si rrallë herë nuk ka një favorit absolut. Në garë për këtë trofe prestigjioz janë yje si Lamine Yamal, Dembele, Mbappe, Harry Kane e të tjerë, ndërsa fushata ka mbërthyer klube si Barcelona, PSG e Bayern Munich. Kapiteni i Anglisë, “bomberi” i Bayern Munich, zhvilloi një super sezon në aspektin personal ku mbylli vitin me 73 gola në të gjithë turnet, përfshi këtu edhe golat me Anglinë, por në CV e tij mungon një trofe i rëndësishëm si Champions apo Botëror, por pavarësisht këtij fakti, Kane është mes favoritëve kryesorë.
Në një intervistë për të përditshmen spanjolle MARCA, Kane e kishte të vështirë të thoshte se Po, e meriton “Topin e Artë”, i vetëdijshëm se në këtë garë ka futbollistë që kanë fituar më shumë në rang klubesh apo me ekipet përfaqësuese:
“Është pak e komplikuar. Nuk më ka pëlqyer kurrë të flas shumë për veten, por është e vërtetë. Të arrish të shënosh 73 gola, që me fjalë të tjera përcakton dhe shifrën e dytë më të lartë në histori, flet vetë. E vetmja që mund të them është se edicioni i kaluar ishte vërtetë i jashtëzakonshëm, në nivelin personal dhe atë me skuadrën. Ishte sezoni më i mirë i jetës sime. Nuk është në dorën time. Varet nga njerëzit që do të votojnë. Dhe nga ky këndvështrim, sezoni i kaluar i përket të shkuarës. Tashmë jam i fokusuar për vazhdimin. E di që do të ketë shumë diskutime për këtë çmim deri në tetor sepse është një çmim i madh. Por, momentalisht jam i fokusuar se çfarë mund të bëj tjetër me ekipin në këto çaste”, u shpreh ndër të tjera Harry Kane në intervistën e tij për MARCA.
