Deputeti i PD dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas vendimit të Sekretariatit të Etikës për të përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit deputetët e opozitës Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, ndërsa sipas tij është “amnistuar” deputeti socialist Taulant Balla.

Në një deklaratë për mediat, Gjekmarkaj tha se vendimi tregon se Komisioni i Etikës nuk funksionon më si një mekanizëm për mbrojtjen e etikës parlamentare, por si një instrument politik për të goditur opozitën.

Sipas tij, komisioni i drejtuar nga Ulsi Manja ka zgjedhur të ndëshkojë deputetët e opozitës, ndërsa ka heshtur përballë asaj që ai e cilësoi si një nga fyerjet më të rënda të dëgjuara në sallën e Kuvendit. Gjekmarkaj u ndal te debati mes Ballës dhe deputetes demokrate Albana Vokshi, duke e konsideruar gjuhën e përdorur ndaj saj si brutale dhe denigruese.

Ai kritikoi edhe argumentin se situata u mbyll me një kërkim faljeje nga Balla, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të relativizuar deklaratën. Sipas Gjekmarkajt, pretendimi se numri “0900” lidhej me një numër të Bashkimi Evropian nuk përbën kërkim faljeje të vërtetë, por një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë.

“Njeriu që fyeu brutalisht një kolege nuk dënohet, ndërsa ata që ngritën zërin për këtë thyerje të çdo kodi etik ndëshkohen dhe përjashtohen nga salla e Kuvendit. Ky është një standard i dyfishtë që sot po imponohet në parlament”, u shpreh ai.

Më tej, Gjekmarkaj akuzoi mazhorancën se po përdor rregulloren sipas interesit politik, duke ndëshkuar kundërshtarët dhe duke mbrojtur përfaqësuesit e saj edhe kur, sipas tij, shkelin normat e etikës dhe të respektit njerëzor.

Ai shtoi se opozita po provokohet qëllimisht drejt tensioneve dhe përplasjeve, në vend që të përballet me debat argumentesh në një parlament normal.

Në fund të reagimit, nënkryetari i Kuvendit theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga detyra e saj për të mbrojtur interesin publik dhe demokracinë, ndërsa paralajmëroi mobilizim në protestën e paralajmëruar më 12 mars.

Deklarata e plotë:

Vendimi për përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut tregon qartë se i ashtuquajturi Komision i Etikës nuk është më një mekanizëm për të mbrojtur etikën parlamentare, por një instrument politik për të goditur opozitën. Nje komision qe fyen etiken e çdo shqiptari me nënshtrimin dhe pranimin e diktatit politik nga ana e tij!

Ky komision, i kryesuar nga Ulsi Manja, zgjodhi të ndëshkojë opozitën, ndërkohë që heshti përballë një prej fyerjeve më të rënda që është dëgjuar në sallën e Kuvendit. Taulant Balla, arkitekti i kaosit dhe provokatori i situatës, i është drejtuar deputetes Albana Vokshi me një gjuhë brutale dhe denigruese, duke kaluar çdo kufi të etikës parlamentare.

Justifikimi se gjithçka u mbyll me një kërkim faljeje është një tjetër fyerje për inteligjencën e opinionit publik. Zoti Balla nuk kërkoi falje reale. Ai tentoi ta relativizojë deklaratën e tij, duke pretenduar në mënyrë absurde se numri “0900” qenka një numër i Bashkimit Europian. Kjo nuk është falje; kjo është një përpjekje për të mashtruar opinionin publik dhe për të shmangur përgjegjësinë! Nje shpalosje mujsharie e arrogance totale u konsumua me këtë akt!

Paradoksi është i qartë dhe i papranueshëm: ai që fyeu brutalisht një kolege nuk dënohet, ndërsa ata që ngritën zërin për këtë thyerje të çdo kodi etik ndëshkohen dhe përjashtohen nga salla e Kuvendit. Ky është standardi i dyfishtë që sot po imponohet në parlament.

Mazhoranca po sillet si një bandë politike që përdor rregulloren sipas interesit të saj e trajton ate si nevojtore politike, ndëshkon kundërshtarin dhe mbron të vetët, edhe kur ata shkelin çdo normë të etikës dhe të respektit njerëzor.

Kjo sjellje nuk synon debat idesh, por tension dhe përplasje. Opozita po provokohet qëllimisht drejt konfliktit fizik, në vend që të përballet me argumente dhe alternativa në një parlament normal.

Kur partia bashkohet me shtetin dhe institucionet përdoren si vegla politike, siç po ndodh sot, nuk është e vështirë të kuptohet pse klima politike degradohet në këtë mënyrë.

Megjithatë, opozita nuk do të tërhiqet nga detyra e saj për të mbrojtur interesin publik dhe demokracinë. Me 12 Mars do jemi shumë per ta deshmuar këtë !

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb