Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për zgjedhjen e saj në këtë post. Në një intervistë për emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, Haxhiu theksoi se refuzimi i kandidaturës së saj është rezultat i qëndrimeve të saj opozitare, duke e cilësuar këtë si një pengesë politike nga partitë kundërshtare.

Ajo theksoi se, sipas Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit u takon vetëm fituesve të zgjedhjeve, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje. “Është kompetencë e jona të propozojmë kandidatin, e jo e partive tjera”, tha Haxhiu, duke i cilësuar kundërshtimet ndaj saj si një vazhdimësi të përplasjeve politike me opozitën.

Duke iu përgjigjur kritikave se është një figurë përçarëse, ajo deklaroi se kjo vjen për shkak të angazhimeve të saj kundër disa marrëveshjeve që, sipas saj, kanë qenë të dëmshme për Kosovën dhe qytetarët e saj. Haxhiu rikujtoi se që nga viti 2010 ka qenë aktive në politikë dhe se veprimtaria e saj si deputete dhe si ministre e Drejtësisë ka pasur gjithmonë në fokus interesin e shtetit.

Ajo falënderoi 56 deputetët që e kanë mbështetur deri më tani dhe u bëri thirrje partive tjera që të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se vetëm partia që del e para në zgjedhje ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar. “AAK dhe PDK duhet ta kuptojnë se propozimet individuale për kryetar mund të bëhen vetëm nga partia që ka fituar zgjedhjet”, shtoi ajo.

Në fund, Haxhiu paralajmëroi se edhe në rast të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, pa një vullnet të qartë politik, mund të ketë vonesa edhe në zgjedhjen e nënkryetarëve, gjë që do të pamundësonte funksionalizimin e plotë të Kuvendit. “Të na lejojnë të ecim përpara. Nëse nuk kemi shumicë për të votuar Qeverinë, atëherë të përballemi kur të vijë koha. Pse të ndalemi në këtë fazë?”, përfundoi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb