Shqipëria emetoi për herë të parë një eurobond me afat 7-vjeçar në tregjet ndërkombëtare, përmes të cilit qeveria mori 500 milionë euro hua. Eksperti i ekonomisë Elvin Meka e cilëson këtë hua një lajm të mirë për ekonominë e vendit duke e lidhur me emetimin 7-vjeçar dhe me një normë më të ulët interesi se vitet e mëparshme.

“E para që ka të bëjë me normën e interesit që është në një nivel historik në rastin tonë të Shqipërisë. Shqipëria asnjëherë nuk ka paguar në një normë të tillë në monedhë të huaj dhe aspekti tjetër ka të bëjë me afatin që shtyhet me 2 vjet të tjera. Në njëfarë mënyre kalojmë nga 5 vjet në 7 vjet. Kjo duhet parë pozitivisht në këndvështrimin që tregjet ndërkombëtare perceptojnë Shqipërinë si një vend me një risk sovran më të ulët dhe si një mundësi relativisht më të mirë për të bërë biznes”, deklaroi Elvin Meka, Zv.rektor i KU Luarasit për procesin akademik.

Por a krijohet një borxh i ri për Shqipërinë me këtë hua?
“Pra nëse ekonomia shton një vit prodhim të brendshëm bruto prej 300 mln euro atëherë ky është një efekt neutralizues, mjaftojmë që të shtojmë ne ekonomi një vlerë më ta madhe sesa të marrim borxh. Mbetemi në të njëjtat parametra borxh PBB, problem do të jetë nëse vlera e shtuar në ekonomi është më e vogël sesa madhësia të cilën merr borxh çdo vit”, sqaroi Meka.

Por opozita e ka cilësuar këtë lëvizje të qeverisë si marrje të një borxhi për të shlyer borxh. Deputetja Jorida Tabaku ndërsa bën krahasimin me shtetet fqinje, thotë se kemi interesin më të lartë në rajon.

“Merr borxh për të shlyer borxhet që mori katër vjeçarin e parë, para që i përdori për luks e udhëtime, pisha dhe palma! Në një kohë kur, në janar 2018 Maqedonia doli në treg me Eurobond me interes 2,75% dhe në prill 2018 Mali i Zi në Prill doli me një interes Eurobondi 3,37 %! Shqipëria sot me 3,55%”, tha Tabaku.

Deklaratës i është përgjigjur Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, duke shpjeguar pse Shqipëria ka marrë një normë interesi 3.55%

“Ti bën krahasime pa asnjë lidhje e nderuar zëdhënëse e ekonomisë së partisë që e shkatërroi ekonominë. Mali i Zi sot, është 3.95 (me borxh 55%) zonja Tabaku, ndërsa Maqedonia është sot sa ne, rreth 3.55 pra edhe pse ka BB rating! Krahasimi me dje nuk bëhet me vendet e tjera zonja Tabaku, se është njësoj si të krahasosh një mollë me një qepe apo një kastravec, po bëhet me vetveten”, deklaroi ministri Ahmetaj.
Huaja e marrë përmes eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim por edhe për të shlyer para kohe 200 mln euro borxhe të marra përmes eurobondit të vitit 2015.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb