Europol, së bashku me agjencitë ligjzbatuese të 35 shteteve, ka realizuar një operacion ndërkombëtar të koduar “Stream” për të luftuar shfrytëzimin seksual të të miturve në internet. Në këtë operacion ka marrë pjesë edhe Policia e Shtetit të Shqipërisë, e cila ka pasur një rol të rëndësishëm në hetimin e një shtetasi shqiptar të dyshuar për “pornografi me të mitur”.
Pas informacionit të siguruar nga autoritetet gjermane dhe Europol, hetuesit shqiptarë kanë identifikuar shtetasin M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë, si të dyshuar për veprime të tilla kriminale. Gjatë operacionit, autoritetet shqiptare kanë ekzekutuar një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës dhe kanë kryer kontrolle në banesën e të dyshuarit, ku janë sekuestruar 3 celularë dhe 1 laptop, pajisje të cilat janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, dhe autoritetet po punojnë për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale dhe për të zbardhur detaje të tjera të implikimit të shtetasit shqiptar.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit, pjesë e operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Stream”, kundër shfrytëzimit seksual të të miturve, në internet.
Në operacion morën pjesë agjencitë ligjzbatuese të 35 shteteve, përfshirë Policinë e Shtetit.
Operacioni ndërkombëtar “Stream” u drejtua nga Policia Kriminale Shtetërore e Bavarisë dhe nga Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), dhe u mbështet nga EUROPOL.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore të Gjermanisë dhe EUROPOL, se dhe një shtetas shqiptar ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale, i ka referuar materialet procedurale Prokurorisë së Tiranës, e cila ka regjistruar procedim për veprën penale “Pornografia”, me të mitur.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, u mundësua identifikimi i të dyshuarit, shtetasit M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e kontrolleve në banesën e 29-vjeçarit, ku u sekuestruan në funksion të hetimit, 3 celularë dhe 1 laptop.
Paisjet e sekuestruara janë dërguar për ekzaminime kompjuterike të mëtejshme.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, në vendin tonë.
