Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiq, e ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, ka folur për sfidat me të cilat përballet biznesi në Shqipëri, duke theksuar ndikimin e krizave globale dhe problemeve të brendshme të tregut.
Sipas saj, biznesi ka pësuar goditje të mëdha nga faktorë makroekonomikë si pandemia dhe luftërat, ndërsa një problem i rëndësishëm i brendshëm mbetet evazioni fiskal dhe informaliteti.
“Biznesi ka pasur goditje të mëdha nga politika makro si pandemia dhe luftërat. Një goditje e brendshme është evazioni dhe informaliteti. Kjo krijon mungesë konkurrueshmërie dhe bizneset korrekte janë më të humburat për shkak të marzhit më të ulët të fitimit”, u shpreh Radonshiq.
Ajo theksoi se vitet e fundit biznesi është përballur vazhdimisht me kriza, duke shtuar se politikat qeveritare duhet të synojnë mbrojtjen dhe jo goditjen e sektorit privat.
Sipas ekspertes, shteti duhet të jetë më i përgatitur për të përballuar krizat ekonomike përmes skenarëve të qartë që minimizojnë ndikimin në biznes.
“Kemi vazhdimisht kriza dhe problematika të brendshme e të pa menaxhueshme. Shteti për të ndihmuar ekonominë dhe për të menaxhuar riskun duhet të subvencionojë bujqësinë dhe blegtorinë”, theksoi ajo.
Radonshiq shtoi se të dy sektorët, bujqësia dhe blegtoria, kanë nevojë për subvencione reale dhe me efekt konkret në zhvillimin ekonomik.
