Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 ka bërë deklarata të forta në lidhje me hetimet e SPAK ndaj Belinda Balluku.
Bardhi deklaroi se ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i arrestuar më herët, sipas tij po bashkëpunon me drejtësinë.
“Ju pyesni kë po mbron Edi Rama. E kishte shitur për 24 orë, siç ka shitur cilindo brenda PS që i rrezikon pushtetin nga njollosja për shkak të korrupsionit”, u shpreh Bardhi, duke iu referuar çështjes së Ballukut me drejtësinë.
Ai ngriti pyetjen se kush ka dhënë urdhrin për tenderat, duke përmendur rastin e Porto Romanos. Sipas Bardhit, mesazhet e përfshira në dosjen e SPAK do të tregonin se pas tyre qëndron kryeministri Edi Rama.
“Kush e ka dhënë urdhrin për tenderat, Balluku apo Rama? Mesazhi i Berberit në dosjen e SPAK tregon qartë se Rama është pas tyre. Kush e ka caktuar tenderin e Porto Romanos, Berberi e Balluku apo Rama?”, deklaroi ai.
Bardhi shtoi se, sipas tij, Berberi ka bashkëpunuar me drejtësinë edhe për çështjen e telefonit që përmbante komunikime të rëndësishme. Ai pretendoi se në kontrollin e parë telefoni nuk ishte gjetur në banesë, ndërsa në kontrollin e dytë, me instruksion të vetë Berberit për vendndodhjen, SPAK dhe BKH kanë mundur të sigurojnë provat.
“Si mendoni se Berberi do të bëjë burg për Ballukun? Shkon ai në burg dhe merr me vete edhe atë. Po Balluku do të bëjë burg për Edi Ramën? Janë tre raste ku ajo ka lënë të kuptohet se nëse shkon në burg, do të marrë edhe të tjerë me vete”, u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se, sipas tij, sulmet ndaj drejtësisë dhe ndryshimet ligjore nuk bëhen për të mbrojtur Ballukun, por për të mbrojtur kryeministrin. “Qytetarët duan që t’u kthehen pas paratë që janë vjedhur dhe që drejtësia të bëjë punën e saj”, përfundoi Bardhi.
