Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA), Josef Aschbacher, do të zhvillojë këtë javë një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku pritet të takohet me zyrtarë të lartë të vendit për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kërkimit dhe eksplorimit hapësinor.

Gjatë vizitës, Aschbacher do të qëndrojë në Dubai dhe Abu Dhabi, ndërsa në fokus të takimeve do të jetë forcimi i partneritetit mes Evropës dhe Emirateve në sektorin hapësinor.

Në një deklaratë për agjencinë Reuters, kreu i ESA-së theksoi nevojën që Evropa të forcojë kapacitetet e saj dhe të reduktojë varësinë nga Shtetet e Bashkuara në këtë sektor strategjik.

“Ne e kuptuam se Evropa është shumë e ekspozuar ndaj varësisë nga SHBA-të në fushën e kërkimit hapësinor. Udhëheqësit politikë evropianë më kanë thënë se rajoni ka nevojë për më shumë autonomi dhe forcë më të madhe. Ne duhet të forcojmë kapacitetet tona dhe të bëhemi një aktor më i fortë në ekosistemin global, por në mënyrë që ta përdorim këtë forcë për bashkëpunim me partnerë të tjerë”, u shpreh Aschbacher.

Vizita në Emiratet e Bashkuara Arabe vjen në kuadër të përpjekjeve për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e rolit të Evropës në kërkimin dhe teknologjinë hapësinore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb