Historiani i njohur Paskal Milo i ftuar në emisionin “Open”, në News24, e ka cilësuar të pafalshme faktin Shqipëria të mos ketë një infrastrukturë minimale ushtarake të gjithanshme.

Milo tha se, në kontekstin e kohës kur Evropa ka vendosur të riarmatoset, duke shtuar shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë, pas deklaratave të presidentit të SHBA, se do të tërheqë fondet nga NATO, nëse vendet e BE nuk paguajnë, Shqipëria duhet ta ketë një minimum të organizuar infrastrukture ushtarake.

Sa i takon planit të paqes në Ukrainë, që po negociohet midis SHBA, Rusisë dhe Ukrainës, historiani Paskal Milo tha se ky model që pritet të miratohet nga palët, do të nxisë qarqet nacionaliste ekstreme në botë dhe në rajon, konkretisht serbët, të cilët do të inkurajohen për të pretenduar veriun e Kosovës.

Paskal Milo:  është e pafalshme që Shqipëria të mos ketë një infrastrukturë minimale ushtarake të gjithanshme. Pavarësisht se jemi anëtarë të NATO-s dhe pavarësisht që jemi ushqyer me tezën se ne s’ka cna duhet ushtria,sepse ne na mbron NATO, edhe vendet anëtare të NATO-s, rreth nesh kanë sjellje tjetër, por ata janë të armatosur, dhe armatosen përditë qoftë Serbia, Greqia dhe ende rrotull nesh.

Unë nuk them që Shqipëria të armatoset në një mënyrë të tillë sa të dëmtojë ekonominë, por që ta ketë një minimum të organizuar infrastrukture ushtarake, duhet ta ketë, sepse është në dinjitetin e shtetit që ta ketë.

Por duhet të kishim kohë që të ishim përgatitur, flas minimumin e infrastrukturës, në kryerjen e disa funksioneve janë të detyrueshme, për një shtet normal dhe serioz. Ne nuk e kemi bërë, koncept i gabuar shumë vite më parë, sepse s’ka nevojë se na mbron NATO. Cfarë do të bëjë tani Shqipëria?

Shqipëria duhet të fillojë të rivitalizojë industrinë ushtarake shqiptare të kohëve të vjetra. Ka filluar, ka premtime për rijetësimin e industrisë, nuk është investim madhor, sikurse duhet menduar seriozisht të blejë avionë ushtarakë, për një minimum aktiviteteshe, edhe anije luftarake moderne për të mbrojtur kufijtë e krimine organizuar, që shpesh herë është më i investuar se shteti shqiptar.

Jemi të rrezikuar nën dritën e zhvillimeve të fundit cka po ndodh në Evropë. Kam mendimin se një marrëveshje për Ukrainën që do të jetë e favorshme për Rusinë, ka gjasa që të ndodhë, do të inkurajonte drejtpërdrejt vende e qeveri e qarqe nacionaliste, për të rihapur cështje, o të mbyllura o të ngrira, për ti dhënë zgjidhje sipas modelit ukrainas.

Në rajonin tonë, në rajonin e Ballkanit perëndimor, do të përkthehej si inkurajuese për qarqet nacionaliste ekstreme serbe jo vetëm në Serbi, Bosnjë por dhe qarqet rreth e rrotull për të rindezur flakët e pretendimeve nacionaliste.

Të jeni të sigurt se Serbia do të inkurajohej patjetër dhe do të shtonte përpjekjet e saj për ta toksifikuar klimën në rajon dhe intensifikuar veprimet e saj në adresë të Kosovë, sidomos në veriun e Kosovës.

 

(Balkan Web)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb