Sipas raportimeve të New York Times, vendet evropiane shprehin shqetësim se Rusia po përgatitet të dërgojë Iranit dronë të avancuar për t’i përdorur në konflikte kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Afërsia mes Moskës dhe Teheranit është forcuar që nga pushtimi rus i Ukrainës, ku dronët iranianë janë përdorur gjerësisht, ndërsa të dy vendet bashkëpunojnë për të anashkaluar sanksionet perëndimore dhe për të shitur naftë jashtë vendit.

Zyrtarët amerikanë deklarojnë se pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit disa javë më parë, Rusia ka nisur të transmetojë informacion satelitor dhe të tjera për bazat amerikane dhe objektiva të mundshme në rajon. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi më herët se inteligjenca ukrainase kishte zbuluar se Rusia i kishte furnizuar Iranit dronë dhe informacione inteligjence, të përdorura në sulmet ndaj instalimeve ushtarake amerikane dhe vendet në Lindjen e Mesme.

Raporte të mëtejshme nga Financial Times konfirmojnë se Rusia është pranë përfundimit të një dërgese me dronë, ilaçe dhe ushqime për Iranin. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nuk konfirmoi drejtpërdrejt dërgimin e dronëve, duke e cilësuar çështje të inteligjencës, por theksoi marrëdhënien e ngushtë mes Iranit, Rusisë, Koresë së Veriut dhe Kinës. Ndërsa Sekretari Britanik i Mbrojtjes, John Healy, tha se Rusia dhe Irani po ndajnë taktika, trajnime dhe teknologji. Droni Shahed-136 i Iranit ka qenë pjesë e furnizimeve për ushtrinë ruse në Ukrainë, duke u përdorur nga Rusia për të mbushur boshllëkun në prodhimin iranian dhe për të forcuar kapacitetet ushtarake të Teheranit.

Kremlini, përmes zëdhënësit Dmitry Peskov, mohoi dërgimin e dronëve dhe i quajti raportet “informacion të rremë”. Rusia ka pohuar më parë se ka dërguar furnizime mjekësore dhe ushqime në Iran nga Azerbajxhani, ndërsa Donald Trump minimizoi raportet se Rusia i jepte inteligjencë Iranit për të synuar forcat amerikane. Nga ana tjetër, Rusia ka ndërtuar në Yelabuga, Tatarstan fabrikën më të madhe dhe më sekrete për prodhimin e dronëve sulmues, që mund të prodhojë mijëra dronë, me dizajn dhe sisteme navigimi të modifikuara nga specialistët rusë, duke e zgjeruar kapacitetin në mënyrë dramatike. Kreu i zonës ekonomike të Yelabuga, Timur Shagivaleyev, e përshkroi fabrikën si më të madhen dhe më sekrete për prodhimin e dronëve sulmues në botë, duke prodhuar nëntë herë më shumë dronë sesa ishte planifikuar fillimisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: