TIRANE – Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin maksimal në operacionin e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura që kanë rënë dhe vijojnë të bien.

Në zonën e Katundut të Ri të qarkut të Durrësit janë evakuuar 185 persona që rrezikoheshin nga përmbytjet, ndërsa një helikopter i Forcës Ajrore ka kryer një operacion kërkim-shpëtimi në këtë zonë.

Forcat Speciale dhe ato të Komandës Mbështetëse vijojnë të kontribuojnë për evakuimin e banorëve që rrezikohen, si dhe për shpërndarjen e ushqimeve dhe veshmbathjeve për banorët në nevojë të kësaj zone.

Ndërkaq, FA kanë nisur rreth 50 forca në drejtim të Lushnjës. Nga Komanda Mbështetëse janë dërguar 3 mjete vetëshkarkuese me thasë me rërë për të mbushur argjinaturën e lumit Shkumbin, e cila rrezikon të përmbysë zonën e Çermës, dy mjete traktorë me zinxhirë të Batalionit të Xhenios, 2 mjete transporti me 20 persona dhe thasë bosh për tu mbushur në plazhin e Divjakës.

Në Çermë ka qenë sot edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila bëri të ditur se janë evakuuar të gjitha familjet e rrezikuara. FA ka vendosur një helikopter “Cuoguar”, i cili do të përdoret për transport thasësh me rërë nga plazhi i Divjakës për t’i hedhur në argjinaturën e çarë të lumit Shkumbin.

“Janë evakuuar familjet e rrezikuara. Eshtë e vështirë të ndërhyhet nga toka për argjinaturën në Shkumbin. Ndërkohë që flasim janë ngarkuar thasët me rërë rreth 2 ton, aq sa është limiti i mundshëm i një helikopteri dhe pritet të fillojë hedhja e thasëve në argjinaturë”- deklaroi Kodheli.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: