Është gjetur i pajetë 70-vjeçari Jashar Spaho, i cili ishte raportuar i zhdukur nga familjarët që prej datës 28 qershor. Trupi i të moshuarit është gjetur këtë të enjte në lumin Devoll, në segmentin midis fshatrave Tren dhe Bitinckë.

Trupi i pajetë është transportuar drejt morgut për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Paraprakisht, policia po heton dy pista kryesore: njëra ka të bëjë me mundësinë e vetëvrasjes dhe tjetra me rrëzimin aksidental në lumë, që mund të ketë çuar në mbytje fatale.

Familjarët e Spahos kishin bërë thirrje publike për ndihmë pas zhdukjes së tij, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes.

Devoll/Informacion paraprak

Rreth orës 08:40, në fshatin Tren, është gjetur pa shenja jete në breg të lumit, shtetasi J. S., 70 vjeç, banues në fshatin Pilur, i cili dyshohet se është mbytur. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa, më datë 29.06.2025.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb