Autoritetet australiane kanë publikuar thirrjen emergjente të bërë nga 13-vjeçari Austin Appelby, i cili notoi për orë të tëra në det të trazuar për të kërkuar ndihmë për familjen e tij, pasi ata u rrëmbyen nga rrymat e forta në brigjet e Australisë Perëndimore.

Ngjarja ndodhi më 30 janar, kur Austin, së bashku me nënën dhe dy vëllezërit e motrat e tij, Beau (12 vjeç) dhe Grace (8 vjeç), kishin dalë për paddleboarding dhe kajak pranë Quindalup. Rrymat e forta i tërhoqën larg bregut, duke i çuar thellë në det dhe duke i lënë të pafuqishëm për t’u kthyer. I vendosur për të shpëtuar familjen, Austin notoi rreth katër kilometra deri në breg. Sapo arriti në tokë, ai gjeti telefonin e nënës së tij në plazh dhe telefonoi menjëherë shërbimet emergjente.

Në regjistrimin e telefonatës, 13-vjeçari dëgjohet duke përshkruar me qetësi situatën: “Përshëndetje, emri im është Austin… Kam dy vëllezër e motra, Beau dhe Grace. Na mori deti dhe humbëm. Mamaja ime më dërgoi të kërkoja ndihmë,” thotë ai. Ai kërkoi dërgimin urgjent të një helikopteri për kërkime. “Mendoj se janë kilometra larg në det të hapur. Na duhet një helikopter për t’i gjetur. Nuk e di në çfarë gjendjeje janë tani dhe jam shumë i frikësuar,” shtoi ai.

Pavarësisht lodhjes ekstreme dhe gjendjes së rënduar fizike, Austin kërkoi edhe ndihmë për veten. “Jam ulur në plazh tani dhe mendoj se jam hipotermik. Jam jashtëzakonisht i lodhur. Ndihem sikur do të më bjerë të fikët,” u shpreh ai, duke kërkuar një ambulancë. Falë reagimit të shpejtë të autoriteteve dhe informacionit të dhënë nga Austin, familja u gjet thellë në oqean, duke u mbajtur pas një dërrase. Të gjithë u shpëtuan me sukses.

Duke folur për median lokale 9News, Austin tregoi se mendimi për familjen e tij e ndihmoi të mos dorëzohej. “Thjesht mendoja, ‘Jo sot, jo sot, jo sot’. Duhej të vazhdoja,” tha ai. Policia e Australisë Perëndimore e vlerësoi lart trimërinë e të riut. “Aftësia e Austin për të menduar qartë nën presion tregon një qetësi të jashtëzakonshme,” thuhet në deklaratë. Komandanti i policisë lokale, Andrew McDonnell, e cilësoi veprimin e tij si “vërtet të jashtëzakonshëm”, duke theksuar se guximi dhe vendosmëria e 13-vjeçarit ishin vendimtare në shpëtimin e familjes së tij nga një situatë tepër e rrezikshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: