NGA BESNIK BAKIU

Rreth një javë më parë ndodhën dy ngjarje tragjike. Në njërën babai vrau vajzën e tij 17-vjeçare dhe plagosi vajzën tjetër Në ngjarjen tjetër, burri plagosi gruan me automatik dhe pastaj vrau veten. Më keq nuk ka! Sinqerisht prisja një reagim shoqëror të madh, por si gjithmonë asgjë. “Çudia më e madhe zgjat 3 ditë”, themi ne shqiptarët, por kjo as tri ditë nuk zgjati, sepse u fashit nga tragjeditë e tjera të paralajmëruara: shpërthimet e bombolave të gazit në Pogradec dhe në Tiranë, si dhe masakra e Elbasanit. Vërtet na ka humbur ndjeshmëria? Vërtet nuk po e marrim vesh që familja shqiptare është në depresion? Vërtet nuk e kuptojmë se kriza më e madhe shoqërore që kalon shoqëria jonë është “defunksionalizimi i familjes”?

Të dhënat zyrtare tregojnë se familja po tkurret dhe zvogëlohet nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ka shfaqur prirjen e shpërbërjes. Numri i personave për familje ka zbritur nën 4 persona, pra çiftet nuk po riprodhojnë as vetveten. Ndërkaq, shtimi marramendës i divorceve me një rritje vjetore dyshifrore jo rrallë nxit konflikte e krime në familje. Këto nuk janë shenja; janë provat e tronditjes së thellë të marrëdhënies sociale.

Familja sot është streha më e pasigurt për gratë dhe vajzat shqiptare, pasi është kthyer në vendin ku ndaj tyre ushtrohet dhunë më shumë se kudo. Të njëjtën krisje kanë pësuar edhe marrëdhëniet ndërmjet brezave, duke përfshirë ato prind-fëmijë dhe ato që kanë të bëjnë me brezin më të vjetër. Familja, e cila te ne historikisht ka përbërë bazën e njësisë, duke zëvendësuar jo rrallë shoqërinë dhe vetë shtetin, familja që duhej të ishte shembull për shoqërinë në tërësi, ka humbur dhe po e humb ditaditës këtë rol, duke e kthyer shoqërinë në një shoqëri konfliktuale. Sot me dhimbje mund të themi se familja ka qenë, por nuk është më… Kjo edhe për faktin se familje sot konsiderohet vetëm familja e ngushtë nukleare, duke harruar “familjen e zgjeruar”, pjesë e së cilës janë edhe dajat, hallat, xhaxhallarët, tezet, kushërinjtë dhe farefisi, të cilët, pavarësisht se shkencat sociologjike i trajtojnë si pjesë e familjes, ne i kemi përzënë nga parajsa familjare dhe takohemi vetëm në raste vakie.

Familja shqiptare nuk është më. Ky depresion ka kohë që troket kërcënueshëm në dyert e shoqërisë shqiptare, duke rrezikuar të ardhmen e saj, e cila u gjend e papërgatitur për të përballuar pasojat që solli kalimi i shoqërisë, nga një shoqëri e mbyllur, në një shoqëri të hapur. Duket sikur terapinë shok që kaloi ekonomia e pësoi edhe familja. Tradicionalisht, familja ka qenë institucioni që jo vetëm ka garantuar intimitetin, dashurinë dhe dhembshurinë ndaj individit, por ajo ka qenë gjithashtu njësia bazë e jetës ekonomike, politike, njësia bazë e strukturave shoqërore, institucioni më i rëndësishëm edukativ, arsimor, kulturor etj. Kurse sot “defunksionalizimi” i familjes ka sjellë shkatërrimin e elementëve më të qenësishëm të jetës sociale të njeriut. Sot familja shqiptare vuan nga: mungesa e edukimit për liri dhe për përgjegjësi (liria pa përgjegjësi është anarki), privatizimi i lidhjeve afektive (punë për mua, mos ndërhy në jetën time private); largësia me familjen (pjesa dërmuese e kohës kalohet jashtë familjes).

Krimi në familje është kthyer në një fenomen të frikshëm, dhe kjo ndikon negativisht jo vetëm në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë (grave, fëmijëve dhe të moshuarve), por edhe në stabilitetin e familjes tradicionale, pasi shoqëria shqiptare nuk i ka ende instrumentet e duhura për ta përballuar krizën e familjes. Raportet zyrtare tregojnë se fenomeni i krimit në familje rritet vit pas viti. Burri që vret gruan, gruaja që vret burrin, babai që përdhunon të bijën, vëllai që rreh motrën, fëmija që vret prindërit, vëllai që vret vëllanë, prindër që detyrojnë vajzën të prostituojë, nëna që braktis foshnjën etj. Nga ana tjetër, pasqyrimi në media në kronikën e zezë pa kriter i ngjarjeve të tilla, e rëndon akoma më shumë psikikën tonë dhe atmosferën në jetën e qytetarit të thjeshtë. Edhe pa këto ngjarje ai është i traumatizuar e i mbingarkuar me streset e përditshmërisë për përballimin e mbijetesës biologjike, dhe nuk është në gjendje të përballojë edhe një ngarkesë të tillë emocionale. Po të analizosh tipologjinë dhe gjeografinë e krimit në familje, konstatohet se ai ka një gamë shumë të zgjeruar. Nuk ka dallime intelektuale, arsimore, krahinore apo gjinore. Krimi është kudo.

Është vështirë të dallosh realitetet urbane nga ato rurale, apo krimin urban nga krimi rural. Personazhet e kronikave të tilla u përkasin zonave gjeografike dhe shtresave shoqërore nga më të ndryshmet. Ata gjenden si në fshat, ashtu edhe në qytet; janë punëtorë, bujq, intelektualë, biznesmenë, me një prirje të dukshme drejt seksit femër dhe moshave më të reja, ose më të vjetra. Gjeografia e tyre shtrihet në gjithë territorin, ku ajo bie në sy është makabriteti i tyre. Teknikat e krimit janë të pamëshirshme dhe egërsia që ato shprehin është e jashtëzakonshme. Natyrisht, krimi dhe dhuna e shfaqin në çdo rast aspektin më brutal të njeriut, por po t’i vëresh me vëmendje teknikat e përdorura në këto krime, nuk ke si të mos konstatosh një egërsi dhe brutalitet përtej egërsisë dhe brutalitetit të zakonshëm. Studiuesit rendisin si shkaqe të këtij fenomeni gjendjen ekonomike, xhelozinë, konsumimin e alkoolit, bixhozin, papunësinë, shkollimin e pakët, mosmarrëveshjet për pasuri dhe prona, bashkëjetesa pas zgjidhjes së martesës, mospërballimi i kushteve të jetesës. Sipas tyre, shteti nuk ofron mundësi për parandalimin e këtij krimi, por përkundrazi, ka krijuar liri të tepruar edhe për “kriminelët”.

Por e vërteta është tjetërkund. Kjo shoqëri, shtetasit e këtij vendi, e kanë grisur dhe shqyer kontratën sociale që duhej të kishin mes vetes dhe me institucionet e tyre, e cila do të vendoste rregulla legjitimitetin e autoritetit të shtetit mes individëve. Nëse Thomas Hobbes do e merrte në shqyrtim shoqërinë tonë, ai do i cilësonte shqiptarët e sotëm si individë në “gjendje natyrore”, të përfshirë nga instinktet dhe jo nga rregullat e të jetuarit në shoqëri. Sot, kur jemi ende në kohë të reflektojmë mbi këto probleme e shqetësime, pa i lënë ato të rëndohen dhe të bëhen të pashërueshme, vazhdojmë si struci t’i fshihemi realitetit me pseudoarsye, duke i kërkuar shkaqet e së keqes larg nesh. Më konkretisht: disa studiues të shkencave sociale, psikologë e sociologë pretendojnë se këto nuk janë fenomene vetëm shqiptare, por mbarëbotërore, si rrjedhojë janë çështje të modernizimit të familjes. Vërtet shoqëria perëndimore duket sikur e ka “vrarë familjen tradicionale”, por duke u organizuar në mënyrë të tillë që individi ta ketë të mundur ekzistencën edhe jashtë gjirit të familjes.

Gjithë progresi i bërë nga shoqëria perëndimore në drejtim të sigurimeve shoqërore dhe të përkrahjes sociale të njerëzve, në fund të fundit, synon plotësimin e zbrazëtisë së krijuar nga kriza e familjes: njeriu e humb familjen, por shoqëria i gjendet me krijimin e disa kushteve, duke mos e lënë në mëshirën e fatit. Kurse shoqëria shqiptare është ende larg krijimit të kushteve të tilla, dhe kjo është arsyeja pse kriza e familjes shqiptare bëhet edhe më e mprehtë. Disa të tjerë akuzojnë abuzivisht “Kanunin e maleve”. Por po të lexosh me vëmendje dhe pozitivisht Kanunin e Lek Dukagjinit, rezulton e kundërta. Kanuni (nyja 9: 19) sanksionon, se: “Familja asht nji të mbledhun gjymtyrësh, të cilët gjallisin nen nji kulum, qellimi i të cillvet asht të shtuemit e gjindes nepermjet të martesës, të mkabunit të tyne kah zhdrivillimi i shtatit e kah zhvillimi i mendes e i shises”; …. “Familjen e perbajn gjindja e shpise; si të shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznija në gjini, gjinija në fise, fiset në flamur e të gjith zbashku permblidhen në nji Familje ma të hapët, e cila quhet Komb, e kan nji atdhe, nji gjak, nji gjuhë, e doke”.

Po të studiojmë politikat dhe qëndrimet proaktive të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, rezulton se: është krijuar një strukturë e posaçme për mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të dhunës në familje; janë bërë përmirësime ligjore në këtë drejtim; janë kryer trajnime të vazhdueshme për punonjësit që janë të angazhuar drejtpërdrejt në parandalimin e dhunës në familje, por gjithçka vijon të mbetet si më parë. Pra pushteti vendor, autoritetet shtetërore, shërbimet sociale, shkollat, gjykatat dhe policia deri tani janë treguar të pafuqishme për të frenuar këtë dukuri masive në familjen dhe shoqërinë shqiptare. Dhuna në familje nuk mund të zgjidhet vetëm nga forcat e rendit (të cilat duhet të përshëndeten se po kryejnë edhe detyrat e agjencive të tjera), por duhen marrë masa të gërshetuara nga shumë institucione, duke përfshirë edhe ndihmën ndaj dhunuesit që të përmirësohet, edhe ndihmën ndaj fëmijëve, që dhunohen bashkë me nënat në familje, e që rrezikojnë të bëhen përsëritës të dhunës vitet e ardhshme.

Ky është një proces i tërë, i cili nuk mund të realizohet me seminare e konferenca të zhvilluara në salla të mbyllura, apo thjesht me projekte stereotipe të cilat nuk japin zgjidhje. Procesi i rimëkëmbjes i shoqërisë shqiptare, është një proces që ecën paralelisht me proceset e tjera të zhvillimit ekonomik, social e kulturor, atij juridik e ligjor, atë të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e ordiner. Shteti dhe qeveria kanë detyrë të kujdesen për të krijuar e zbatuar projekte konkrete e afatgjata, ku të përfshihen shtresat më të goditura të shoqërisë, për punësim, edukim, strehim dhe integrimin e tyre në shoqëri. Ky proces duhet parë si një betejë me të keqen e madhe, ku hapi i parë duhet të jetë ai i pranimit të realitetit; se deri më sot, shteti shqiptar me gjithë organizmat politikë e shoqërorë ka dështuar t’ia dalë për të frenuar fenomenin e “rrënimit” të familjes.

Ky nuk do të ishte vetëm hapi i parë, por edhe një pikë kthese, një lëvizje që do të ndizte dritëzën e shpresës për frenimin e shkatërrimit të bërthamës së shoqërisë shqiptare, familjes. Sigurisht, familja perfekte nuk ekziston dhe as që duhet kërkuar, por familja reale, familja funksionale po. Për ta pasur këtë familje duhen luftuar shkaqet që e vënë atë në rrezik: injoranca, varfëria, padrejtësia, pasiguria, humbja e moralit shoqëror e ndjeshmërisë dhe e nderimit për pjesëtarët e familjes. Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është të fillosh ta krijosh atë. Duhet që sensibilizimi i popullsisë të jetë më i madh. Familja dhe shoqëria jonë duhet të ofrojnë më shumë mbështetje për viktimat e dhunës familjare, sepse shumë nga këto raste vazhdojnë të qëndrojnë në lidhje abuzive, sepse s’kanë ku të shkojnë, apo për të ruajtur “fytyrën e familjes”.

Kërkohet që ndërhyrjet e efektshme në rastet e dhunës në familje të bëhen nga të gjitha agjencitë e ngarkuara me ligj, si dhe të institucionalizohen procedura që: vendosin në qendër sigurinë e viktimave, përmirësojnë llogaridhënien e autorëve të dhunës, dhe ndryshojnë mjedisin komunitar, që të mos tolerojë dhunën në familje. Në përfundim dua të risjell në kujtesën e të gjithëve fjalët e Papa Françeskut: “Të kujdesemi. Të kujdesemi për shumë gjëra… Por sidomos, kujdesuni për familjen! Familja është thesar, fëmijët janë thesar. Luani me fëmijët: është kaq bukur. Kjo do të thotë të mbjellësh farën e së ardhmes”. Kjo, që familja, nga faktor dëshpërimi të shndërrohet në faktor shprese, për të përjetuar vlerën e të pasurit familje. Kjo me siguri që do i lehtësonte edhe procedurat që Shqipëria t’i bashkohej sa më parë “familjes evropiane”, ëndrra dhe aspirata e përjetshme, për të cilën “sfiliten” politikanët tanë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: