Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj premtimeve të qeverisë për rritjen e pagës mesatare, duke i cilësuar ato si “propagandë boshe” që bie ndesh me realitetin ekonomik të shqiptarëve.

“Prej një viti kemi dëgjuar refrenin: ‘paga mesatare 900 euro’. Studio, grafika, spote. Pastaj del nga shtëpia. Shporta, energjia, karburanti. Realiteti të flet ndryshe”, shkruan Tabaku në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, Tabaku thotë se një familje me të ardhura mesatare shpenzon rreth 96 mijë lekë në muaj (pa qira), ndërkohë që paga minimale është vetëm 40 mijë lekë. Edhe me dy paga minimale, një familje mbetet në deficit me 16 mijë lekë çdo muaj.

“40% e të ardhurave ikin te buka dhe ushqimet,” thekson ajo, duke shtuar se vetëm qiratë, edhe larg qendrës së qytetit, nisin nga 45 mijë lekë. Transporti, faturat, arsimi dhe shëndetësia e rëndojnë edhe më shumë përballueshmërinë e jetës.

Sipas Tabakut, kriza nuk është thjesht ekonomike, por strukturore.

Postimi i plotë:

Prej 1 viti kemi dëgjuar refrenin: “paga mesatare 900 euro”. Studio, grafika, spote. Pastaj del nga shtëpia. Shporta, energjia, karburanti. Realiteti të flet ndryshe.

INSTAT thotë se një familje me të ardhura mesatare shpenzon rreth 96 mijë lekë në muaj (pa qira). Paga minimale është 40 mijë. Dy paga minimale = 80 mijë. Hendeku? 16 mijë lekë çdo muaj. Çdo muaj.
40% e të ardhurave ikin te buka dhe ushqimet. Qiratë? Edhe larg qendrës nisin rreth 45 mijë lekë. Shtoji transportin, faturat, shkollën, shëndetin… llogaria nuk del në fund të muajit.

Monopolet vendosin çmimin, qeveria mbron sistemin e pandershëm të taksimit; buxheti punon vetëm për të mbrojtur oborrin e socialistëve nga rritja e çmimeve, ndërsa familjet shqiptare paguajnë propagandën, rritjen e çmimeve dhe korrupsionin. Dhe shtresa e mesme ikën—jo për luks, por për jetesë.

U premtua për një vit rresht nëpër ekrane se “rroga mesatare do të ishte 900 €”. Sot, familjet përballen me shpenzime që shkojnë në 96 mijë lekë në jetën reale. Kjo është fatura e kripur e qeverisjes socialiste!

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb