Një familje shqiptare në vitin 2022 çoi 39.7% të shpenzimeve totale vetëm për t’u ushqyer, sipas të dhënave të INSTAT. Ndonëse në ulje në krahasim me vitin e mëparshëm (41.3%), të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se buxheti që shpenzojmë për t’u ushqyer është më i larti në Europë. Ky është një tregues indirekt i varfërisë, teksa shpenzimet për ushqime janë një nevojë ekzistenciale e domosdoshme.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se një familje europiane shpenzon mesatarisht për ushqime 13.6% të totalit, ose tre herë më pak sesa në Shqipëri. Edhe në vendet e rajonit ky tregues është më i ulët, ku nivelin më të ulët e ka Serbia (24.1%), Mali i ZI (27.2%), Maqedonia e Veriut (30.6% për vitin 2019), Bosnjë-Hercegovina (32.2%). Të dhënat për Kosovën mungojnë, por treguesit e mëparshëm ishin më të ulëta sesa Shqipëria.

Shpenzimi i një pjese të konsiderueshme të buxhetit lë më pak hapësirë për aktivitete të tjera. P.sh., për argëtim dhe kulturë, një familje europiane shpenzon 8.4% të buxhetit, ndërsa një familje shqiptare vetëm 2.7%. Për restorante Europa shpenzon 8.5% ndërsa Shqipëria 7.3%. Më i lartë është buxheti për komunikim, me 3.9% në Shqipëri kundrejt 2.3% mesatarja eurpiane për shkak të çmimeve më të shtrenjta.

Europa shpenzon më shumë për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar, me 24.1% të totalit, përkundrejt 9.8% të familjeve shqiptare. Sipas Eurostat, në vitin 2022, shpenzimet e konsumit total të familjeve në Bashkimi Europian u rritën me 4,7% krahasuar me vitin 2021, ndërsa ishin 1% më të larta krahasuar me vitin 2019. Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 u vu re një rritje e konsiderueshme e konsumit familjar për mallra dhe shërbime që ranë në mënyrë të paprecedentë në vitin 2020, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Në vitin 2022, shpenzimet për restorante dhe hotele u rritën me 33,8%, për argëtim dhe kulturë me 14,7%, për veshje dhe këpucë me 11,5%, dhe për transport me 4,7%. Konsumi familjar është rritur për të gjitha kategoritë, përveç ushqimeve dhe pijeve joalkoolike (-3,1%) dhe pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve (-1,0%).

Edhe pse konsumi familjar i tejkaloi nivelet e para-COVID-it në vitin 2022, disa kategori ende mbeten mbrapa shifrave të para-COVID-it. Konkretisht, në vitin 2022, konsumi familjar ishte ende nën vëllimet e vitit 2019 për transport (-7,8%), restorante dhe hotele (-2,4%) dhe arsim (-1,5%).

  • foto galeri
  • foto galeri

/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb