Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar është takuar me Nigel Farage për t’i thënë atij se udhëheqësi i partisë “Reform UK” po përsëriste informacione të rreme duke bërë pretendimin se një në 50 shqiptarë në Britani ishin në burg, sipas raportimit të The Guardian.
“Është plotësisht e rreme, megjithatë po përsëritet në lajmet e Britanisë së Madhe dhe nga politikanët”, tha ambasadori Uran Ferizi, i cili mori pjesë në konferencën e Reform UK.
“Është keqinterpretim i statistikave zyrtare të cilat merren dhe përdoren për të dalë me pretendime të ndryshme që nuk kanë asnjë ngjashmëri me realitetin.”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tashmë është përplasur me Farage në internet në lidhje me përdorimin e kësaj shifre nga udhëheqësi i Reform UK. Të dhënat nga ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar kanë kundërshtuar raportet se numri i shqiptarëve është 53,000 në Mbretërinë e Bashkuar, i cili u përdor si burim për pretendimin një në 50.
Ferizi tha: “I thashë se ishte thellësisht e padrejtë të përhapte këto gënjeshtra në thelb. Ato thjesht nuk janë të vërteta. Perceptimi im ishte se ai ishte i hapur kur e dëgjoi këtë dhe e kuptoi këtë.
“Gjithashtu bëra të ditur se shqiptarët ishin një shembull shumë i mirë i njerëzve që integrohen mirë në Britani.” Ata punojnë shumë, mësojnë gjuhën, zakonet dhe rregullat e vendit. I thashë se ishte thellësisht e padrejtë për një vend që krenohet me drejtësinë dhe ai dukej se e vlerësonte këtë”, u shpreh ai.
Sakaq, Farage njoftoi ditën e sotme se kishte pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë dhe tha se në javët në vijim do të drekonte me kreun e qeverisë shqiptare.
