Disa fermerë dhe njësi të agroturizmit po nxisin kultivimin e farërave autoktone me qëllim për të pasuruar recetat nga tradita dhe për të risjellë shijet unike të perimeve, bishtajoreve, drithërave gati të harruara. Si po rikthehet në tavolina domatja “Sereke” dhe ajo “Rozë e Kukësit”, speci “Kapi”, dhe ai i Gjoricës etj. Banka Gjenetike Shqiptare po ruan 5222 varietete, nga ato që rrezikojnë zhdukjen tek më të afirmuarat. Potenciali i pashfrytëzuar i bujqësisë organike dhe agroturizmit nga kultivarët vendas
Domatja e verdhë e Korçës, ajo “Rozë e Kukësit”, speci i Laknasit dhe i Gjoricës, patëllxhanët “Oblika”, bostani “Kavajotin” e shumë të tjera lloje perimesh, janë disa nga varitetet autoktone që po kultivohen nga fermeri Alban Çakalli në tokat e tij në Kurbin.
I pasionuar pas bujqësisë dhe kultivarëve të rrallë, fermeri synon të kthehet në një kultivues të farërave autoktone me qëllim që ato të përdoren për konsum në tavolinat e agroturizmeve dhe konsumatorëve.
Zoti Çakalli, jo vetëm që po bëhet një “bankë” aktive e kultivarëve vendas, po gjithashtu po përdor metoda tradicionale të kultivimit. Perimet nuk i mbjell me fidanë, por direkt me farën në tokë dhe i ushqen bimët me plehun e racave të bagëtive të vendit për të sjellë prodhimin sa më autentik.
Rezultatet janë mbresëlënëse. “Domatja autoktone, për shembull, ka një shije më të thellë, edhe e ëmbël edhe e athët. Ka aromë të fortë, lëkurë më të butë dhe ngjyrë më natyrale.
Ndryshe nga domatet hibride, të cilat mund të duken të përsosura, por shpesh janë pa shije dhe pa aromë.
Domatet vendase janë shumë herë më të asimilueshme nga organizmi, më të lehta për t’u tretur dhe më të pasura në vlera ushqyese”, – thotë ai.
Njësoj si Albani janë edhe disa fermerë në Shqipëri dhe sidomos agroturizmet që po synojnë në menutë e tyre receta tradicionale, por me prodhime autentike.
Shqipëria ka ende një bujqësi primitive të fragmentuar dhe në zona të thella malore që për fat ka ndihmuar që ende disa fara autoktoke të ruhen të papërziera dhe të kultivohen nga viti në vit, sipas mënyrave artizanale.
Në vendin tonë funksionon gjithashtu Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve (Banka Gjenetike Shqiptare), e cila kujdeset për ruajtjen e farërave autoktone që përfshin një total prej 5,200 llojesh.
Nga këto, 4,120 lloje mbahen si fara, duke përfshirë specie të ndryshme si perimet, leguminozet, drithrat, bimët mjekësore dhe aromatike, bimët industriale, bimët foragjere etj. dhe 1,100 lloje ruhen si koleksione të pemëve frutore në fushë.
Kthim te tradita nga fara në tavolinë
Njësia e agroturizmit “Mrizi i Zanave”, bashkë me eksplorimin e thellë të recetave tradicionale të Veriut të vendit, hulumtoi për farërat dhe varietetet autoktone.
Madje këmbëngulja arriti deri aty sa fara të shumëllojshme të vendit u hodhën në gjendje të egër për të verifikuar ato më rezistentet.
Pas recetave tradicionale në tavolinë, Altini dha shembullin dhe punoi fort me fermerët që të mos kultivonin hibridë, por farërat e vendit për prodhimet e ngastrave të tyre duke iu siguruar edhe tregun.
Prodhimet autentike shqiptare japin shije krejt tjetër të recetave të vendit, prandaj agroturizmet në të gjithë vendin janë të interesuara për këto prodhime.
Zhvillimi i turizmit e ka rritur interesin për kuzhinën tradicionale shqiptare dhe tani ka më shumë hapësira në treg për ata që duan të kultivojnë dhe shesin prodhime bujqësore nga varietetet autoktone.
Zoti Çakalli thotë se shumë prej farave autoktone janë më të përshtatura për kushtet tona. Për shembull, disa lloje domatesh të zonave të thata kanë rrënjë të thella dhe duan më pak ujë. Misri autokton është më rezistent ndaj lagështisë.
Këto cilësi janë rezultat i përshtatjes për shumë breza me klimën, dhe nuk arrihen lehtë me fara industriale të standardizuara.
Por nga ana tjetër, ato nuk rrojnë shumë gjatë, nuk janë të përshtatshme për transport të largët, por janë perfekt për konsum të afër me zonat e kultivimit.
Për prodhimet autoktone ka kërkesa dhe nga konsumatorët për konsum të përditshëm, por shumë janë skeptikë se këto nuk do të kenë të ardhme për shkak se mund të dalin me çmim më të lartë se prodhimet konvencionale, por pjesa që janë gati të paguajnë më shumë për produkte cilësore është në rritje, shpjegon z. Çakalli.
Problemi është se duhen certifikuar që të mos abuzohet me to, që të mos shiten imitimet si prodhime autoktone.
Vitet e fundit, në tregjet tona shitet në masë domate hibride për domate të Shëngjergjit që njihet për shijen e saj të mrekullueshme. Konsumatorët, sidomos moshat e reja, tashmë janë mësuar me varietetet hibride dhe e kanë shumë të vështirë ose të pamundur të njohin origjinalen.
Me agroturizmet mund të promovohen edhe kultivarët autoktonë. Shefat e restoranteve po i kërkojnë këta kultivarë se kanë shije dhe aroma të forta.
Farërat hibride janë krijuar për të pasur rendiment të lartë dhe rezistencë ndaj transportit apo sëmundjeve, por kjo shpesh vjen në dëm të shijes dhe autenticitetit.
Banka ku ruhen 5222 fara dhe bimë vendase, disa të rralla
Inventari kombëtar i farave autoktone, që ruhen në Bankën Gjenetike Kombëtare, përfshin një total prej 5,200 llojesh dhe 220 specie.
Nga këto, 4,120 mbahen si fara, duke përfshirë specie të ndryshme si perimet, leguminozet, drithërat, bimët mjekësore dhe aromatike, bimët industriale, bimët foragjere etj. nën ruajtje afatgjatë në bankën gjenetike kombëtare dhe 1,100 lloje si koleksione të pemëve frutore në fushë.
Sipas informacionit që dha për “Monitor” Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve (Banka Gjenetike Shqiptare), farat më të vjetra shqiptare janë kryesisht ato të grurit, misrit e fasules, që kanë mbi 100 vite që kultivohen në Shqipëri.
Përcaktimi i origjinës së varieteteve ose i futjes së tyre në Shqipëri është bërë mbi bazën e dokumentacionit ekzistues, të publikimeve të bëra nga kërkuesit, si dhe të kritereve ndërkombëtare për emërtimin varietet “autokton”, “tradicional” ose “varietet i fermerit”.
Shumë varietete mbajnë emrat e fshatrave ku janë kultivuar më herët ose për një periudhë më të gjatë.
Kultivimi i tyre ose përdorimi i qëndrueshëm, është ruajtja më e mirë dhe e sigurt. Megjithatë, vetëm një numër i kufizuar i varieteteve aktualisht kultivohen ose ka interes për t’u përhapur në prodhim, sqaroi Banka Gjenetike Shqiptare.
Në këtë Bankë aktualisht ka disa bimë të rralla që janë ruajtur për të mbajtur gjallë karakteristikat e tyre për përfitime të njerëzimit dhe mjedisit në të ardhmen.
Disa prej tyre janë: Chervili, një perime aromatike e rrallë në Shkodër, e njohur edhe si majdanozi francez. Emri “chervil” vjen nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë “gjethet e gëzimit”.
Gruri i Qabesë është një specie e rrallë që u gjet në fshatin Arrëz, të Komunës Miras. Është një bimë njëvjeçare e familjes Fabaceae, me gjethe të harkuara deri të zgjatura.
Dardha gjithashtu është pjesë e trashëgimisë së hershme: Për shqiptarët, dardha përfaqëson hijeshinë dhe bukurinë femërore. Emri “dardhë” rrjedh nga emri Ilir “darda” dhe ka lidhje me fisin Ilir të Dardanisë.
Misri “Farë Sulova”: Kjo krahinë në Qarkun e Elbasanit është njohur për misrin e saj me të njëjtin emër, misri “Sulova”.
Banka Gjenetike Shqiptare mban koleksione me materiale bimore për të siguruar që këto bimë të rralla të ruhen dhe përdoren në të ardhmen.
Në Shqipëri, disa varietete si dredhëza e Divjakës, qepa e Beratit, dhe Misri i Zi i Kukësit janë ruajtur në fermat model të mbështetura nga projekte të huaja, si FAO apo GIZ.
Por ekpertët e Bankës Gjentike pohuan se duhet një kuadër ligjor që mbron resurset gjenetike vendase dhe ndalon importin e paautorizuar të farërave dhe regjistrimin e kultivarëve autoktonë në Regjistrin Kombëtar të Varieteteve Bujqësore.
Vetëm farërat e certifikuara dhe të regjistruara të lejohen për shitje dhe mbjellje.
Duhet gjithashtu të bëhet identifikimi dhe kontrolli laboratorik i farërave për të garantuar autenticitetin e tyre, ndërsa ligji mund të parashikojë ndëshkime për ndërhyrje të paligjshme në biodiversitetin bujqësor.
P.sh. në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ekziston një Regjistër i Varieteteve Autoktone dhe janë vendosur moratoriume të përkohshme për përdorimin e farave hibride në disa zona tradicionale për të shmangur përzierjet.
Disa po rrezikojnë zhdukjen
Fermerët shpesh zëvendësojnë farërat tradicionale me farëra hibride të huaja që japin rendiment më të lartë ose piqen më shpejt. Kjo shpesh ndërthur spontanisht varietetet autoktone me ato hibride.
Pas disa brezash mbjelljeje të pandërprerë me fara hibride, varieteti autokton tjetërsohet ose zhduket nga përzierja, nuk ka më “pastërti varieteti”, ndaj as ruajtja dhe as certifikimi nuk është i mundur, pohuan ekspertët e Bankës Gjenetike.
P.sh. speci autokton i Ballshit është përzier në shumë zona me speca hibrid të ardhur nga Maqedonia e Veriut ose Turqia.
Shumë familje fshatare janë shpërngulur drejt qyteteve ose jashtë vendit, duke lënë pas toka të papunuara dhe tokat bujqësore tradicionalisht të mbjella me varietete autoktone mbeten djerrë ose shndërrohen në ndërtim, kullota ose pyje.
Procesi i ndërprerjes së mbjelljes për disa vite radhazi është mjaftueshëm i dëmshëm për mbijetesën e varieteteve. Mungesa e trashëgimisë brez pas brezi e njohurive bujqësore për kultivimin e këtyre varieteteve i dëmton edhe më shumë.
P.sh. fasulja tradicionale e Lurës, dikur e famshme për cilësinë e saj, sot është e vështirë të gjendet për shkak të braktisjes së zonës dhe mungesës së trashëgueshmërisë.
Ndryshimet në stilin e jetesës (ushqime të përpunuara, dieta të huaja, standarde të reja tregu) kanë ulur kërkesën për produkte tradicionale.
Metodat tradicionale të ruajtjes së farës, përpunimit dhe përgatitjes së produkteve janë duke u harruar. Pa përdorim në kuzhinë, pa treg dhe pa zinxhir vlerash që ta mbështesë, varieteti autokton humbet interesin dhe qëllimin.
Disa produkte (si “mishi i thatë i rrushit” apo “bukë misri me qiqra”) humbasin përdorimin dhe për pasojë, edhe lëndët e para që lidhen me to.
Skeda për farat autoktone,
“Speci Hundashkë”
Në zonën e Korçës njihet dhe kultivohet për më se 80-100 vjet, “Speci Hundashkë”. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar nga bahçevanët. Aktualisht zë më pak se 5% të sipërfaqes së specit në zonë.
Bimët kanë lartësi 55-60 cm, kërcell të trashë e të drejtë, degëzim mesatar dhe ndërnyje të shkurtra. Gjethet janë të mëdha, të gjera, eliptike dhe me ngjyrë të gjelbër të errët. Prodhon 7-10 fruta për bimë, të cilët vendosen kryesisht në bazën e bimës.
Ata janë mesatarisht të mëdhenj, me formë prizmi të zgjatur, me dhe pa majë, me peshë mesatare 70-80 gramë; në pjekjen teknike kanë ngjyrë të gjelbër të çelur deri në të verdhë, kurse në atë biologjike të kuqe. Tuli është i hollë (2.5-3 mm), i lëngshëm. Është spec me shije të mirë.
Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë më 10 – 15 maj. Prodhimi fillon në muajin korrik dhe vazhdon deri në tetor.
Rreth 25-30 kv/dynym. Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve dhe temperaturës së ulët. Përdoret për konsum të freskët, gatime të ndryshme dhe përpunim, në familje dhe për tregun lokal.
Me hyrjen e farërave të importit po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në kopshtet familjare; pra është në rrezik zhdukjeje.
Domatja “Zemër kau”
Në Shqipërinë e Mesme njihet e kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara e saj mbahet dhe trashëgohet brez pas brezi nga bahçevanët. Aktualisht, rreth 10-15% të sipërfaqes së domates në Shqipërinë e Mesme është nga ky lloj.
Bimë e tipit të pakufizuar, me ndërnyje të shkurtra dhe masë gjethore mesatarisht të dendur me 3-5 fruta në lulesë. Frutat janë në formë zemre, nga ka marrë edhe emrin, me peshë 250-350 gramë, nuk përjashtohen rastet 600-700 gramë.
Frutat kanë ngjyrë rozë, kurse nga ana e bishtit e ruajnë ngjyrën e gjelbër. Mbillet në fushë në gjysmën e parë të prillit, deri në
fund të majit. Vjelja e prodhimit fillon pas 10-12 javësh, në korrik dhe vazhdon deri në tetor. Në traditën e zonës mbahen me 4-5 lulesa prodhimi/bimë. Rendimenti është rreth 35 – 40 kuintalë për dynym.
Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut dhe temperaturave të ulëta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm dhe pëlqehet nga konsumatori. Nuk i qëndron transporteve të gjata; kërkon ambalazhim të veçantë.
Me hyrjen e farërave të importit po mbillet pak dhe vetëm në kopshtet familjare./Monitor
