NGA: OLA MITRE*
Të gjithë farmacistët duhet të paguajnë kuotizacionet apo tarifën e anëtarësisë pranë Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë deri në datën 31 mars të këtij viti”. Përmes një njoftimi, UFSH-ja iu kujton të gjithë këtyre profesionistëve të shëndetësisë, detyrimin për të shlyer këtë tarifë në afatin e përcaktuar, në zbatim të ligjit “Për Urdhrin e Farmacistëve” dhe të Vendimit të Këshillit Kombëtar nr.10, datë 29.05.2015. Rreth një vit më parë, ky këshill bëri disa ndryshime në statutin e Urdhrit, dokumentin që ka për qëllim rregullimin e gjithë veprimtarisë së tij.
Ndryshimet prekën 5 nene, ndërkohë që hynë në fuqi në datën 1 korrik të vitit të kaluar. Një nga pikat që u prek lidhej pikërisht me shlyerjen e kuotizacionit, që është një pagesë e detyrueshme për të gjithë anëtarët e Urdhrit. Kështu, sipas vendimit të ri, afati i fundit i kësaj pagese është muaji mars i vitit pasardhës, ndërkohë që sipas statutit të mëparshëm ky afat ishte 6-mujor. Po ashtu, më herët nëse kjo pagesë nuk kryhej brenda afateve të përcaktuara, shoqërohej me paralajmërim për përjashtim nga Urdhri. Ndërkohë që, sipas statutit të ri, mospagimi i detyrimit të kuotizacionit përbën shkelje, me pasojë pezullimin e menjëhershëm të lejes së ushtrimit të profesionit deri në pagimin e plotë të detyrimit.
“Shlyerja e kuotizacionit është e detyrueshme dhe kushtëzon anëtarësinë në Urdhër. Detyrimi për pagesën e kuotizacionit është detyrim mujor dhe duhet të paguhet brenda vitit kalendarik. Afati i fundit i pagesës së kuotizacionit është muaji mars i vitit pasardhës. Mospagimi i detyrimit të kuotizacionit përbën shkelje, me pasojë pezullimin e menjëhershëm të lejes së ushtrimit të profesionit deri në pagimin e plotë të detyrimit”, thuhet në statutin e ri. Sa i takon vlerës së kuotizacionit, ajo nuk pësoi ndryshim, duke mbetur 500 lekë në muaj për farmacistët dhe 1.000 lekë në muaj për drejtuesit teknikë të farmacive.
Prej korrikut, deri në dhjetor të vitit 2015 Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë vazhdoi procesin e ricertifikimit për ata farmacistë, të cilët kanë aplikuar më vonë. Kjo pasi, 2015-ta ishte një vit që përkoi me mbylljen e ciklit të parë të edukimit në vazhdim dhe me dhënien e licencave të reja. Në total numri i farmacistëve, të cilët kanë kaluar me sukses procesin e ricertifikimit dhe që janë aktivë arrin në 2.200 farmacistë, nga të cilët, 1145 farmacistë në rajonin e Tiranës dhe 1.055 farmacistë në rajonet e tjera të vendit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
