Me 79 vota pro, dhe një abstenim nga deputeti Redi Muçi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot rezolutën që shpall Iranin shtet terrorist, duke marrë shkas dhe nga ngjarjet e fundit që po prekin Lindjen e Mesme dhe jo vetëm.

Teksa në sallë mungonte opozita, e cila nuk pranoi të ishte pjesë e seancës së sotme, në Kuvend u votua për praninë, ku rezultuan 79 ligjvënës, të cilët votuan të gjithë pro miratimit të kësaj rezolute.

Kjo rezolutë dënon politikat e Iranit, duke marrë shkas dhe nga fakti se ky shtet ka kryer disa herë sulme kibernetike drejt institucioneve të vendit tonë.

Rezoluta në fjalë u propozua nga maxhoranca, e cila nuk vonoi shumë dhe e kaloi në seancë plenare urgjente, pa e njoftuar rendin e ditës. Kjo gjë shkaktoi dhe debate me opozitën, e cila theksoi se seanca e sotme ishte e jashtëligjshme dhe pa procedurë.

QENDRIMI I PD
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, seanca është thirrur jashtë ditës së zakonshme të zhvillimit të saj, që është e enjtja, dhe me një rend dite që përfshin vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime.

Ai theksoi se kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të Kuvendit Niko Peleshi, pa një rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht dhe në shkelje të procedurave që parashikon Rregullorja e Kuvendit.

Sipas Bardhit, një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk mund të funksionojë normalisht dhe rrezikon të kthehet në një instrument në shërbim të qeverisë. Ai shtoi se në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, është shndërruar në një mekanizëm që pengon edhe drejtësinë në hetimin e korrupsionit.

Whatsapp Image 2026 03 16 At 16.35.03 (1)
Whatsapp Image 2026 03 16 At 16.35.03 (1)

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi të mos marrë pjesë në seancën plenare të ditës së martë, një seancë e paligjshme, e thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit, jashtë ditës normale të saj (e enjte) dhe me Rend Dite: miratim procesverbali dhe njoftime. Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit.

Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë. Një dyqan personal që nuk i shërben interesit publik.

Në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, ai është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Për këtë arsye, opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve.

Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit. Sepse problemi real i Shqipërisë sot është një qeveri që është kthyer në rrezik kombëtar. Prandaj opozita është e vendosur të qëndrojë me qytetarët dhe të udhëheqë betejën për ndryshim, luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, si dhe një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve.”, shkruan Bardhi në në p[ostim në rrjetet sociale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb