Prej kohësh, Turqia është kthyer në një “oaz” për shqiptarët, ku i fundit që iu bashkua kolonisë kuqezi ishte Kristjan Asllani. Mesfushori befasoi jo pak me vendimin e tij, ku për herë të parë në karrierë u largua nga Italia. Asllanit i ka mjaftuar pak kohë për t’u përshtatur menjëherë me ekipin e tij të ri, Beshiktash, madje, sipas mediave turke, aventura e tij në radhët e “shqiponjave” mund të zgjasë përtej këtij sezoni.
Asllani u transferuar në Stamboll në formë huazimi, por me të drejtë blerje në fund të këtij sezoni, një të drejtë që me sa duket klubi i Beshiktash ka ndërmend ta aktivizojë. Në këtë pikë, për t’ia arritur këtij objektivi, në skenë del Ernest Muçi. Klubi nga Stambolli mbetet në pritje që Trabzonspor të bëjë pagesën e mbetur për kartonin e Muçin, afro 8,5 milionë euro.
Këtë shifër, Beshiktash ka ndërmend ta investojë menjëherë për të blerë Kristjan Asllanin. Bardhezinjtë mund të bëjnë për vetë kartonin e mesfushorit kuqezi nëse paguajnë 10 milionë euro në arkën e Inter. Beshiktash, ashtu si Trabzonspor, është i bindur se me Asllanin mund të bëjnë biznes, të bindur se vlera e tij e kartonit mund të rritet.
