Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot në një konferencë për mediat ku ka hedhur akuza të forta ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë të fundit tërësisht të varur politikisht prej saj.

“Fati i Edi Ramës është në galloshet e Lubi Ballukut. Ai përcaktohet tërësisht nga ajo. Kjo ka krijuar një situatë të paimagjinueshme, një presion të gjithanshëm banditesk, publik dhe privat, ndaj Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh Berisha.

Sipas tij, Rama kërkon me çdo kusht të mbrojë Ballukun, pasi ajo, sipas Berishës, i garanton mbështetje edhe për të nëse ndodhet në vështirësi. Ai përmendi edhe atë që e quajti aktin e fundit të Ballukut, kërkesën për largimin e Elisa Spiropalit nga posti i ministres së Jashtme, duke pretenduar se mes tyre ka përplasje dhe intriga të brendshme.

Berisha theksoi se këto nuk janë thjesht konflikte personale, por sipas tij tregojnë “plotfuqinë” e Ballukut ndaj Ramës. “Ajo ka realizuar çdo gjë, siç faktohet nga 6500 mesazhe në dosje. Rama ka zbatuar urdhrat e saj,” deklaroi ai.

“Fati i Edi Ramës në galloshet e Lubi Ballukut.
Fati i Edi Ramës përcaktohet tërësisht nga Lubi Balluku dhe ka krijuar një situatë të paimagjinueshme.
Një presion të gjithanshëm banditesk, publik, privat ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Edi Rama kërkon me çdo kusht të mbrojë Lubinë, pasi ajo i betohet çdo ditë që në krah do të kem ty në qoftë se më lëshon.
Akti i fundit i saj, kërkon menjëhershëm të Spiropalit nga detyra e ministres së Jashtme, pasi sipas saj, ajo po ha dardha pas shpine.
Dhe kjo po ndodh dhe do ndodhë.
Ua dhashë këtë shembull jo për t’u marrë me intrigat mes tyre, por për të treguar plotfuqinë e Lubisë ndaj Ramës.
Ajo ka realizuar çdo gjë, siç faktojnë mesazhet, 6500 mesazhe në dosje, dy të tretat e të cilave lidhen direkt me Ramën, ka zbatuar vetëm urdhrat e saj”, u shpreh Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb