Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev shpreson në një vendim pozitiv për të marrë një datë për çeljen e negociatave me BE në dhjetor.
Gjatë një deklarate të sotme, Zaev ka theksuar se Bullgaria deri në nëntor mund të formojë qeverinë dhe të zhbllokojë negociatat për Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë.

“Mbetet shpresa jonë se “fati i tretë” në Bullgari, para se gjithash për popullin bullgar, të formojnë qeveri politike, që të mundemi në fund të dhjetorit, kur do të mbahet Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Evropian , të merret vendim, në kohën e presidencës Sllovene”, tha mes tjerash Zaev.

Bullgaria në qershor bllokoi çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut, njëkohësisht dhe për Shqipërinë.
Ditën e djeshme, në Samitin në Bled të Sllovenisë u rihap çështja e negociatave teksa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kërkoi publikisht Presidentit të Bullgarisë Rumen Radev që të hiqej vetoja.
Radev ftoi palët në dialog duke u siguruar se çelësi i negociatave është në dorë të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Në dhjetor Presidenca sllovene e BE përmbyll mandatin 6-mujor me Këshillin e Ministrave të BE dhe Këshillin Europian që do të marrë një vendim për dy shtetet.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb