Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, deklaroi se është i bindur se në ditët në vijim do të mbërrijë në Kuvend kërkesa e dytë për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Këlliçi foli edhe për të ardhmen politike të Ballukut dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj saj.

“Për rastin e Ballukut, edhe pse jam i bindur se kërkesa e dytë për imunitetin e Ballukut do të vijë. Edhe herën e parë u faktua se kishte bërë korrupsion, ai e mbrojti se nuk kishte korrupsion”, tha Këlliçi. Ai pretendoi se tashmë pritet të shihet se si do të veprojë Rama përballë një kërkese të re të drejtësisë, ndërsa iu referua edhe vilave ku, sipas tij, qëndron Balluku.

“Edhe pse u faktua tamam korrupsioni, se nuk e dimë se në cilën prej dy vilave po rri Balluku, do shohim se cilat janë qasjet që do të zgjedhë ta mbrojë Rama”, u shpreh ai.

Këlliçi komentoi edhe sulmet e fundit publike ndaj Ballukut, duke i interpretuar ato si një sinjal se Rama mund të jetë duke u distancuar politikisht prej saj. “Duke parë sulmet e paprecedenta ndaj Ballukut tani, kuptohet se është vendimmarrje e Ramës për ta hedhur Belinën tani, si limon të shtrydhur. Pushteti lokal dhe ai vendor janë të ndarë kryesisht”, deklaroi Këlliçi. Më tej, ai tha se sipas tij fati politik i zv.kryeministres është tashmë i përcaktuar dhe se çështja e saj përbën një goditje edhe për kryeministrin.

“Fati politik i Ballukut është i mbyllur. Ai kapitull është i mbyllur. Edhe pse është goditje e madhe për Ramën. Të gjithë e dimë se aferat që ka bërë Balluku, i ka bërë me Ramën”, tha ai. Këlliçi e cilësoi Ballukun si zv.kryeministren e dytë që përballet me probleme me ligjin, ndërsa iu referua edhe një audio-përgjimi të publikuar më herët, për të cilin tha se tregon, sipas tij, marrëdhënien mes Ramës dhe botës së krimit. “Ajo është zv.kryeministrja e dytë që ka probleme me ligjin. Historia e Ballukut, apo e audio-përgjimit që është publikuar dhe tregon marrëdhënien e Ramës me krimin, tregon konceptin korruptiv të kësaj qeverie”, përfundoi Këlliçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: