Analisti politik Ben Andoni ka komentuar figurën e ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të veçanta të tranzicionit shqiptar, që ndonëse nuk e mori politikën me seriozitet, e kuptoi thellësisht realitetin e vendit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për News24, Andoni tha se Nano “ishte kryeministër në momentet më të vështira për Shqipërinë”, kur vendi ndodhej në një situatë të turbullt politike dhe shoqërore.

“Shqipëria atëherë kishte një situatë shumë të vështirë, por pozicioni i tij si liberal dhe moskokëçarës e bënte të dallohej nga të tjerët në politikë. Nano nuk e mori kurrë seriozisht politikën shqiptare,” tha Andoni.

Sipas analistit, Fatos Nano ishte një njeri i lexuar, me një horizont kulturor të gjerë, i lidhur me artin dhe letërsinë, që “lexonte në disa gjuhë të huaja” dhe kishte një kuptim të thellë të karakterit shqiptar.

“Ai kuptoi atë që shumë shqiptarë nuk e kuptojnë as sot që shqiptarët bëjnë një jetë të amullt, pa rregulla, dhe e kanë të vështirë të ndërtojnë një shtet me ligje,” theksoi Andoni.

Duke folur për periudhën kur Nano drejtoi qeverinë (2002–2005), Andoni u shpreh se ajo ishte “një nga periudhat më të korruptuara në historinë e vendit”, por njëkohësisht edhe një kohë që tregoi indiferencën e Nanos ndaj pushtetit.

“Nga viti 2002 deri në 2005 Shqipëria ishte ndër vendet më të korruptuara, dhe kjo lidhej me faktin që Nano nuk e mori seriozisht politikën. Kthimi i Berishës në pushtet në 2005 ishte një nga gjërat më të jashtëzakonshme që arriti vetë Berisha, por edhe pasojë e neglizhencës së Nanos,” shtoi ai.

Analisti nënvizoi se Nano “e kuptoi kohën e tij” dhe “e mori pushtetin me qetësi”, duke e përshkruar si një politikan që vinte nga një eksperiencë austriake dhe që organizoi mirë zgjedhjet, por nuk arriti ta kthejë pushtetin në instrument transformimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb