Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Fatura e ujit për muajin mars, e cila u shkon konsumatorëve në fillim të muajit prill, do të jetë ndryshe nga fatura që kanë pasur deri më tani. Pasi duke filluar nga ky muaj, në faturën e konsumit të ujit, qytetarët do të ketë të përfshirë tri taksa: taksën e pastrimit, taksën e banesës si dhe taksën e përkohshme për Infrastrukturën Arsimore. Kjo gjë u deklarua ditën e djeshme nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes Bashkisë së Tiranës, UKT-së dhe USAID-it për sistemin e ri të faturimit të ujit.
Fatura & taksat
Fatura e ujit për muajin mars, bashkërisht me ujin e konsumuar do të ketë të përfshirë taksën e pastrimit, e cila është 5 mijë lekë në vit për familjet e 11 njësive bashkiake të Tiranës, 2 mijë lekë për familjet e njësive Dajt, Kashar e Farkë, dhe nga 1 mijë lekë për familjet e njësive të tjera administrative. Kjo vlerë do të paguhet e ndarë në 12 muaj së bashku me ujin. Qytetarët e Tiranës do të kenë të përshirë në faturë edhe 150 lekë në muaj, taksën e arsimit, e cila është parashikuar të paguhet për 7 vite.
Po ashtu do t’i shtohet edhe taksa e pronës, e cila është e diferencuar në bazë të njësive administrative. Ku 11 njësitë ekzistuese të Bashkisë së Tiranës si dhe tri ish-komuna të cilat kanë një zhvillim të madh, si Dajti, Farka dhe Kashari, do ketë të njëjtin nivel taksimi, pra për ndërtesat e banimit të ndërtuara para ’93-shit është 15 lekë/m2, ndërsa për ato pas ’93-shit është 30 lekë/m2. Ndërkohë që njësitë e tjera, si Bërzhitë, Baldushk, Vaqar, Pezë, Petrelë, Ndroq, Krrabë, Shëngjergj, Zall-Herr, Zall-Bastar kjo taksë për ndërtesat e banimit të ndërtuara para ’93-shit është 7.5 lekë/m2, ndërsa për ato të ndërtuara më pas është 15 lekë/m2. Për ata persona që kanë në pronësi më shumë se një banesë, taksa për banesën e dytë është dyfish më e shtrenjtë.
Marrëveshja
Kompania publike e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës do pësojë një transformim të plotë, me synim rritjen e nivelit të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Bashkia e Tiranës dhe USAID-i nënshkruan dje marrëveshjen e bashkëpunimit për të bërë të mundur modernizimin e UKT-së dhe aplikimin e një sistemi të ri faturimi dhe kontabiliteti. Marrëveshja u firmos nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla si dhe drejtori i Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në vendin tonë, Peter Clavelle.
“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje çojmë modernizimin në atë nivel, ku duke nisur nga ky muaj, secili që merr faturën e ujit i ka të përmbledhura aty taksat e pushtetit vendor, për të mënjanuar ecejaket, humbjen e kohës dhe kërkesën e pagesës në një moment të caktuar”, – theksoi kryebashkiaku Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi edhe disa nisma të tjera që pritet të vihen në zbatim në ditët në vijim, fillimisht me anë të disa projekteve-pilote. Një prej tyre është ai për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, jo vetëm si një burim papastërtish dhe infeksionesh, por edhe një shëmtie estetike.
Por, që ky projekt të jetë i suksesshëm, kryebashkiaku ka bërë të ditur se do shoqërohet me një tjetër projekt-pilot që ka të bëjë me furnizimin me ujë 24 orë të këtyre lagjeve. “Përveç estetikës, është një rrezik për qytetin dhe qytetarët e Tiranës. Mezi pres kësaj jave që të fillojmë promovimin e disa prej këtyre zonave dhe të shikojmë se si qytetarët heqin depozitën për të pasur ujë 24 orë dhe për të mbyllur këtë mandat me një situatë shumë herë më të pranueshme për furnizimin 24 orë në qytetin e Tiranës, sesa ajo që gjetëm”, – theksoi kryebashkiaku Veliaj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
