Ekipet e Superiores tashmë po shijojnë pushimet, duke përgatitur kështu sezonin e ri, që për skuadrat pjesëmarrëse në kompeticionet europiane nis më herët. Ndeshjet e para do të luhen në javën e parë të muajit korrik, prandaj puna për skuadra, si: Egnatia, Vllaznia, Dinamo apo Partizani do të nisë më herët se për rivalët e tyre të Superiores.
Kështu, te Vllaznia, sipas asaj çfarë mëson gazeta, do të startojë gjithçka në ditët e para të qershorit, por data ende nuk është zyrtare. Mendohet rreth datave 1 deri në 3 qershor që shkodranët të zbresin në fushën stërvitore për herë të parë në edicionin 2025-26. Në këtë mënyrë, Edi Martini do të drejtojë seancën e parë stërvitore që prej emërimit të tij në krye të stolit shkodran.
Po ashtu, në ditët e para ku seancat do të zhvillohen në Shkodër, do të mendohet edhe zhvillimi i fazës përgatitore, ku në vitet e fundit Vllaznia ka preferuar ta zhvillojë jashtë vendit, në shtete, si: Austria, Serbia apo Sllovenia e teksa këtë verë do të shihet nëse shkodranët do të ruajnë “trendin” e viteve të fundit apo ndoshta do preferojnë t’i zhvillojnë përgatitjet brenda kufijve shqiptarë.
