FBI ka shkarkuar të paktën gjashtë agjentë të përfshirë në hetimin e vitit 2022 mbi mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë në fund të mandatit të parë. Lajmi u raportua të mërkurën nga mediat amerikane. Trump ishte akuzuar në nivel federal për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago, në vend që t’i dorëzonte ato tek National Archives and Records Administration, siç kërkohet nga ligji. Në vitin 2022, FBI zhvilloi një kontroll në rezidencën e tij në Florida.

Sipas disa mediave amerikane, drejtori i FBI-së, Cass Patel, i cili njihet si mbështetës i flaktë i Trump, ka kërkuar shkarkimin e të paktën gjashtë agjentëve të përfshirë në hetim. FBI, e kontaktuar nga AFP, nuk pranoi të komentojë. Shoqata e Agjentëve të FBI-së konfirmoi shkarkimet, pa dhënë detaje mbi numrin e saktë. Në një deklaratë, ajo dënoi shkeljen e “të drejtës për proces të rregullt ligjor” të agjentëve që, sipas saj, rrezikojnë jetën për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara.

Sipas prokurorëve, dokumentet e mbajtura nga Trump përfshinin materiale nga Pentagon dhe Central Intelligence Agency (CIA), që lidhen me informacione të klasifikuara mbi programin bërthamor dhe mbrojtjen e SHBA-së.

Vendimi i gjykatës dhe mbyllja e çështjes
Në korrik 2024, gjyqtarja federale Eileen Cannon, e emëruar nga Trump gjatë mandatit të tij të parë, rrëzoi procedurat penale ndaj tij, duke argumentuar se emërimi i ish-prokurorit special Jack Smith ishte jokushtetues.

Departamenti i Drejtësisë apeloi vendimin, por çështja u pushua pasi Trump fitoi rizgjedhjen në vitin 2024. Presidenti amerikan ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje.

Trump ka kritikuar shpesh hetimet e FBI-së, përfshirë ato që lidhen me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021 nga mbështetës të tij. Ndërkohë, në shtator, tre ish-agjentë të FBI-së të pushuar nga puna akuzuan publikisht drejtorin Patel për “politizim” të agjencisë në favor të Trump, duke pretenduar se u ndëshkuan për kundërshtimin e shkarkimit të kolegëve të tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: