Një iniciativë e re ndërkombëtare për të kufizuar përdorimin politik të fesë po merr formë konkrete në Londër, ku një konferencë e nivelit të lartë në Dhomën e Komunave më 26 mars 2026 miratoi “Deklaratën e Westminster për Parandalimin e Abuzimit Politik të Fesë”.

Dokumenti synon të adresojë një nga faktorët më të qëndrueshëm dhe destabilizues të konflikteve globale: instrumentalizimin e fesë për qëllime politike. Ai propozon vendosjen e standardeve më të qarta ndërkombëtare dhe hap rrugën për zhvillimin e një traktati global, me synim forcimin e barazisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe konsolidimin e stabilitetit shoqëror.

Deklarata riafirmon se liria e fesë ose besimit është një e drejtë themelore e garantuar nga e drejta ndërkombëtare, por paralajmëron se keqpërdorimi i saj për interesa politike ka kontribuar në diskriminim, përjashtim dhe konflikt në shumë rajone të botës. Në këtë kuadër, ajo kërkon masa konkrete për të ndaluar këtë fenomen përmes një arkitekture të re ligjore ndërkombëtare, më të qartë dhe më efektive.

Whatsapp Image 2026 04 07 At 20.26.04
Whatsapp Image 2026 04 07 At 20.26.04

Ndër nënshkruesit më të spikatur ndërkombëtarë janë:
Sir Liam Fox, ish Ministër i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar;
Dr. Stephen Schneck, Komisioner i SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare të Fesë;
Lincoln Bloomfield Jr., ish Ndihmës Sekretar i Shtetit të SHBA-së;
Dr. Brian J. Grim, ekspert global për lirinë fetare;
Lord Krish Raval, themelues i Faith in Leadership.

Nisma është ndërmarrë nga organizata ndërkombëtare BPUR International, në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të të Gjitha Partive për Lirinë e Fesë ose Besimit në Mbretërinë e Bashkuar (APPG FoRB), të përfaqësuar nga deputetë si Jim Shannon dhe Sir Liam Fox, të cilët kanë mbështetur këtë proces në nivel politik dhe institucional.
Nga Shqipëria, dokumenti është firmosur nga Dr. Arben Ramkaj, Kryetar i Qendrës për Bashkëpunim Ndërfetar. Në një reagim të tij, ai i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të marrë një rol aktiv dhe të nxisë një nismë ndërkombëtare për avancimin e këtij traktati, duke theksuar se promovimi i kësaj ideje historike është jetik në një kohë kur bota përballet me nivele të larta të polarizimit

fetar dhe me keqpërdorimin e fesë në nivele të larta politike në arenën globale.
Në thelb, kjo iniciativë synon të krijojë një kornizë ndërkombëtare që ndalon përdorimin e fesë si instrument pushteti apo presioni politik, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e besimit dhe duke garantuar barazinë mes qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare.

Mbështetësit e deklaratës theksojnë se iniciativa është gjithëpërfshirëse dhe jo-konfrontuese: ajo nuk targeton asnjë fe apo shtet dhe nuk kufizon besimin fetar, por vendos standarde universale për të parandaluar manipulimin e fesë në rastet kur ai cenon të drejtat themelore dhe stabilitetin shoqëror.

Nëse mbështetet nga një numër i gjerë shtetesh dhe institucione ndërkombëtare, kjo nismë mund të shënojë një hap të rëndësishëm drejt adresimit të një prej sfidave më komplekse të kohës moderne: ndërthurjes së fesë me pushtetin politik në një botë gjithnjë e më të polarizuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb