Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe homologia e tij e Kosovës Vjosa Osmani, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët.

Kreu i shtetit ka treguar një histori të dhimbshme nga viti 1999, kohë kur qytetarët kosovarë janë detyruar që të largohen nga vendi i tyri si pasojë e sulmeve serbe.

“E dashur Vjosa nuk pranoj asnjë falenderim sepse kam bërë detyrën kushtetuese por edhe morale siç e ka çdo qytetar i Shqipërisë dhe e vetmja keqardhje është që mund të kisha bërë edhe më shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendin tim gjatë këtyre 5 viteve. por ju jap fjalën se nga e hëna 25 në mëngjes do të bëj shumë herë më tepër edhe për Kosovën.

Ajo që dua t’ju falenderoj është bashkëpunimi i shkëlqyer me ju dhe institucionet e Kosovës, dhe që do ta vijojmë edhe në të ardhme, jam i bindur që edhe presidenti i zgjedhur i Shqipërisë do të vijojë traditën shumë pozitive.

Është e rëndësishme të theksojmë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare sepse veçse çimentoi pavarësinë e Kosovës, dhe rrugën e lirisë ku hyri ajo në ’99. Duke ardhur dje në Prishtinë po mendoja 4 javët e para të situatës në Kukës pas nisjes së ndërhyrjes së NATO-s në 24 mars 99 ditën kur mbushja 30 vjet.

Kujtoj ato pamje të pabesueshme për javë të tëra të nënave të moshuarve të fëmijëve që vinin të shpëtonin jetën e tyre dhe të afërmit.

Ngadhënjeu dhe shkëlqeu fisnikëria e kuksjanëve, të pambështetur nga shteti, kanë qenë javë të paharruara dhe që krijuan bindjen se nuk ka vështirësi që nuk tejkalohet.

E para vizitore në Kukës ishte ministrja e Brendshme e Italisë. Asaj i bëri përshtypje një vajzë e vogël që qante më vete. E pyeti si e quanin.

Saranda u përgjigj vajza. Më bëri shumë përshtypje sepse është një emër shumë i veçantë dhe shpresoj që ajo vajzë të mos ketë humbur familjarët si shumë fëmijë të tjerë.

Ka pasur një garë të madhe në Kosovë të çojnë më shumë Saranda në Sarandë. emrat tregojnë sa e fortë është vëllazëria jonë dhe dashuria për njëri-tjetrin”, u shpreh Meta.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb