Teknologjia në automjete ka sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si lëvizim, veçanërisht në fushën e sigurisë. Sot, shoferët kanë në dispozicion sisteme shtesë mbrojtjeje që i ndihmojnë të përballen me ngjarjet e paparashikuara që mund t’u ndodhin të gjithëve në rrugë.
Industria e automjeteve dhe autoritetet kompetente nuk zhvillojnë vetëm sisteme të avancuara ndihmëse për shoferin, por edhe teknologji të reja që mund të parandalojnë situata të rrezikshme në rrugë.
Një nga këto teknologji është feneri i urgjencës V16, një pajisje e vogël por jashtëzakonisht e rëndësishme sigurie që zëvendëson trekëndëshin tradicional paralajmërues.
Feneri V16 vendoset në çatinë e automjetit në rast avarie ose aksidenti dhe lëshon dritë portokalli 360 gradë, të dukshme nga larg, duke njoftuar shoferët e tjerë se ka një automjet të ndalur në rrugë.
Avantazhi i madh është se mund të aktivizohet pa pasur nevojë që shoferi të dalë nga makina, duke ulur kështu rrezikun e ekspozimit ndaj qarkullimit.
Madje, nga viti 2026, vende si Spanja do ta bëjnë të detyrueshme përdorimin e versionit të përmirësuar të fenerit, i cili do të ketë sistem GPS të integruar.
Përmes tij, pajisja do të lidhet automatikisht me autoritetet, duke dërguar në kohë reale informacione për pozicionin e automjetit dhe orën e aktivizimit.
Në këtë mënyrë, ekipet e ndihmës dhe shërbimet e shpëtimit do të mund të ndërhyjnë më shpejt dhe më efikas, duke kursyer minuta të çmuara në situata urgjente.
Përdorimi i V16, pra, nuk do të jetë thjesht një aksesor shtesë sigurie, por një sistem njoftimi emergjence që aktivizon një rrjet më të gjerë koordinimi shërbimesh.
Megjithatë, pikërisht sepse çdo aktivizim nënkupton edhe mobilizim burimesh, autoritetet spanjolle kanë vendosur gjoba të majme për ata që e përdorin pa arsye ose kryejnë njoftime të rreme.
Konkretisht, siç raportojnë mediat spanjolle, përdorimi pa arsye i pajisjes do të sjellë gjobë deri në 1.500 euro nëse nuk ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e shërbimeve, ndërsa në rastet e njoftimeve të rreme që shkaktojnë mobilizim ambulancash ose patrullash, gjoba mund të shkojë deri në 30.000 euro.
Arsyeja pas një gjobe kaq të lartë është se çdo sinjal i rremë emergjence mund të largojë forcat e shpëtimit nga incidente reale, duke rrezikuar jetë njerëzish.
Autoritetet e konsiderojnë abuzimin me V16 një vepër serioze, të krahasueshme me njoftimin e rremë për zjarr ose kërcënim bombë.
Në të njëjtën kohë, mediat spanjolle zbulojnë se tashmë janë identifikuar grupe në internet që eksperimentojnë me idenë e “sabotazhit” të sistemit, duke aktivizuar njëkohësisht dhjetëra fenerë në pika të ndryshme, për të testuar reagimin e autoriteteve. Autoritetet i ndjekin nga afër këto veprime dhe kanë paralajmëruar se çdo akt i tillë do të ndiqet penalisht.
