Ilir Alimehmeti ishte një nga kandidatët më të votuar të PD në zgjedhjet e 11 Majit, por nuk arriti të merrte mandatin e deputetit. I ftuar në emisionin Log. në News 24, Alimhmeti pohoi se është e kotë të flasim për vullnetin e popullit.

Sipas Alimehmetit, në zgjedhjet e fundit dolën disa që morën mbi 20 mijë vota, që nuk i njeh askush, ndërkohë që as Ministri i Brendshëm nuk arriti t’i merrte dot.

“Institucionet shtetërore janë pushim, vetëm Opozita po gjen prova për manipulimin e zgjedhjeve. OSBE/ODIHR e thotë qartë se gara nuk ishte e barabartë, pjesëmarrja e administratës, si dhe falja e gjobave tri ditë para zgjedhjeve. Është e kotë të flasim për vullnetin e popullit, të cilit nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm të largohet.

Problemet janë të mëdha. Kishte disa fenomene në këto zgjedhje, kishte njerëz që nuk i njeh asnjë dhe dalin mbi 20 mijë vota, teksa as Ministri i Brendshëm nuk i merr dot. Problemet nuk zgjidhen nga ato që i kanë krijuar, kjo është e qartë. Nëse ne nuk bëjmë një gjysmë hapi përpara, nuk mund të ecet më tej. Fatkeqësisht nga organet kompetente nuk bëjnë asgjë mbi hetimet e krimeve zgjedhore” – u shpreh Alimehmeti ndër të tjera.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb