Të bindur se FIA nuk do të ndryshonte asgjë në mënyrën e matjes së motorëve për rregulloren 2026, dhe se do të lejonte Mercedesin e Red Bullin të vazhdonin me rritjen efektive të kompresionit gjatë funksionimit (nga 16:1 i përcaktuar nga rregullorja në rreth 18:1, për shkak të nxehtësisë dhe zgjerimit termik të disa komponentëve), Ferrari vendosi të reagojë disa javë më parë.
Sipas asaj që shkruan Leo Turrini në blogun e tij “Profondo Rosso”, ekipi i drejtuar nga Enriko Gualtieri tashmë po punon për një njësi të re fuqie, e cila nuk do të mund të futet në përdorim para garës së shtatë të sezonit. Sistemi i ri “ADUO” për rishikimin e motorëve parashikon tri dritare kontrolli: e para hapet në garën e gjashtë dhe prej aty, ekipet që ndodhen në një disavantazh mes 2% dhe 4% krahasuar me motorin më të mirë, mund të përdorin një përmirësim. Nëse diferenca është mbi 4%, lejohen dy përmirësime.
Këto dritare rihapen më pas në garën e 13-të dhe të 17-të. Megjithatë, projekti i Ferrarit duket se kërkon më shumë kohë. Dihet se “truku” i Mercedesit dhe Red Bullit buron nga përdorimi i metalurgjisë me zgjerim të kontrolluar, e cila lejon që vëllimi i disa pjesëve të rritet me temperaturën. Ajo që nuk është ende e qartë është nëse kjo vjen nga pistona të farkëtuar me printim 3D, apo nga një kanal rreth qiririt të ndezjes që mbyllet për shkak të zgjerimit të materialeve.
Sipas Turrinit, Ferrari po eksperimenton me një shufër lidhëse (bielë) të ndërtuar nga “material me koeficient të lartë zgjerimi, që lejon ruajtjen ose përmirësimin e raportit të kompresionit kur materialet zgjerohen”, siç shpjegon gazetari italian. Megjithatë, ai paralajmëron se “është një zgjidhje që do të kërkojë kohë për t’u bërë funksionale. Nuk shihet mundësia që të testohet në bankë prove para mesit të sezonit, ndaj do të ishte një ‘truk’ i menduar për sezonin pasardhës, pra për vitin 2027”.
Ndërkohë, ka edhe dyshime nëse Mercedesi, në një strategji të zgjuar, do të shfrytëzojë menjëherë gjithë potencialin e motorit të ri termik. Mund të presin për të parë nëse u duhen realisht ato 10 apo 15 kuaj fuqi shtesë për të fituar gara. Një avantazh i lehtë mund të jetë më i dobishëm, duke i mbajtur rivalët jashtë pragut prej 2% që do t’u jepte të drejtën për të përdorur sistemin korrigjues “ADUO”. Kështu, Mercedesi do të ruante një epërsi të ndjeshme, por efektive, pa i lejuar kundërshtarët të rikuperojnë menjëherë diferencën.
