Kompozitori dhe artisti i njohur Gjergj Leka, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka ndarë historinë dhe misionin e Festës së Këngës Shqiptare, një iniciativë kulturore që synon të bashkojë në një skenë tre gjenerata këngëtarësh, duke i dhënë muzikës shqiptare dinjitetin që meriton.
Leka theksoi se kjo nismë është konceptuar fillimisht si një ngjarje artistike për të rishfaqur këngët më të bukura shqiptare në formë të riorkestruar, festa është pjekur me kohën dhe tashmë është kthyer në një hapësirë kulturore për krijimin e muzikës së re cilësore.
“Shtatë vite më parë, ideja ishte tjetër. Kjo festë kishte qëllim bashkues. Doja të thërrisja në skenë këngëtarët me eksperiencë, nuk i quaj të vjetër, të cilët askush nuk po i ftonte më. Me ta kam miqësi të vjetra, dhe shumë janë nga jashtë vendit. I bashkuam me të rinjtë, dhe krijuam një atmosferë të jashtëzakonshme,” u shpreh Leka.
Fillimisht festivali nisi me këngë të njohura shqiptare të riorkestruara dhe risjella në kohë, por më pas, siç thotë vetë autori, u pa se kishte nevojë për këngë të reja, pasi repertori i vjetër ishte tashmë i konsumuar nga ribërjet.
“Kënga shqiptare vuan në këtë dhjetëvjeçar. Vuan muzikën, tekstin, interpretimin. Klipet janë ato që janë. Ajo që i mungon fonotekës është kënga e vërtetë shqiptare, prandaj kjo festë është një përpjekje për ta sjellë sërish në vëmendje,” theksoi ai.
Përveç pjesës muzikore, Gjergj Leka thekson edhe përkujdesjen për detajet, duke përfshirë edhe darkën që shoqëron aktivitetin, të cilën ai e konsideron si pjesë të përvojës artistike.
“Mundohem që edhe darka të jetë ndryshe, të ketë atmosferë, të jetë cilësore, sepse publiku është shumë i zgjedhur. Kjo është festa jonë, një fole e vogël kulture dhe rikthim i vlerave të vërteta artistike.”
Festa e Këngës Shqiptare është shndërruar në një nga evenimentet më të veçanta të skenës muzikore, ku nuk mbizotëron konkurrenca, por bashkimi përmes muzikës, respekti për historinë muzikore dhe përkushtimi për artin e mirëfilltë shqiptar.
