“1 qershori” ka qenë një ditë ndryshe për 67 fëmijët e Qendrës Terapeutike të Zhvillimit të Fëmijëve në Gjirokastër. Ata kanë festuar sot me maskotat e personazheve të tyre të preferuar, ndërsa nuk kanë nguruar të shprehin entuziazmin e tyre.
Për drejtuesit e Qendrës mbështetja për këtë grup fëmijësh është e rëndësishme dhe organizime të tilla ndikojnë shumë mirë emocionalisht tek ta.
Organizimi ka tërhequr vëmendjen e një turisti kalimtar në këtë zonë që nuk ka hezituar të bashkohet duke pohuar se pas një situate të rënduar si pandemia, argëtimi është mënyra e duhur për të risjellë normalizimin edhe në jetën e fëmijëve.
Gjithnjë e më shumë fëmijë po drejtohen në këtë Qendër Terapeutike që trajton fëmijë nga i gjithë qarku i Gjirokastrës, ndërkohë që raportohet për një numër jo të vogël rastesh të paregjistruara të fëmijëve me nevoja të veçanta, kryesisht si pasojë e mospranimit nga prindërit.
