Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku 17 fëmijë dhe 7 të rritur dyshohet se janë helmuar nga monoksidi i karbonit, i prodhuar nga një ngrohës me defekt, gjatë një feste.
Festimi po zhvillohej në një ambient të vënë në dispozicion nga një kongregacion fetar në Via Gio Batta Roggerone, në zonën Genoa Rivarolo, në luginën e sipërme të Bisagnos. Aktiviteti përfundoi me ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës dhe shtrimin në spital të pjesëmarrësve. Sipas informacioneve, të parët që shfaqën shenja helmimi ishin fëmijët më të vegjël, të moshës nga tre muajsh deri në 12 vjeç. Pak më vonë, simptoma të ngjashme u shfaqën edhe te të rriturit.
Fëmijët u transportuan në Spitalin Pediatrik Gaslini në Xhenova, ku disa prej tyre iu nënshtruan terapisë me oksigjen. Spitali bëri të ditur se të gjithë pacientët ndodhen nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore, janë në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, të rriturit u shtruan në Spitalin San Martino, ku morën terapi hiperbarike, një trajtim i specializuar që përdoret në rastet e helmimit nga monoksidi i karbonit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të incidentit dhe për të verifikuar kushtet teknike të ngrohësit që dyshohet se ka shkaktuar helmimin.
