Kjo e enjte ishte ndryshe për Federatën e Futbollit, pasi në selinë e saj zbarkuan emra të mëdhenj të futbollit europian. Përkrah Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të federatave europiane dhe ambasadorë të UEFA-s në kuadër të festivalit të futbollit për fëmijë, pjesë e programit “Futbolli në Shkolla”.
Aktiviteti u shoqërua edhe me zhvillimin e një ndeshjeje futbolli ku morën pjesë Presidenti Čeferin, Luís Figo, Aljoša Asanović, trajneri i Kombëtares shqiptare Silvinjo, dy zëvendës-trajnerët Zabaleta dhe Doriva, Jahmir Hyka dhe fëmijët nga shkollat lokale.
Pas ndeshjes, në një prononcim për mediat, Luis Figo, ambasador i UEFA-s dhe një nga legjendat më të mëdha të futbollit europian u shpreh i lumtur për praninë e tij sot në Tiranë.
“Që nga hera e fundit që kam qenë këtu, shoh një ndryshim të madh. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Sa herë vij, ndjej një mbështetje të madhe nga të gjithë ata që e duan futbollin.
Legjenda portugeze vlerësoi sportistët e rinj shqiptarë, duke i këshilluar që të gjejnë balancën mes edukimit dhe sportit në jetë.
“Janë shumë të rinj, por mendoj se, ashtu si në çdo vend tjetër, gjëja më e rëndësishme është të gjesh balancën mes edukimit dhe sportit. Nëse studion dhe i kushton kohë mësimeve, ndërkohë që luan edhe sport, veçanërisht futboll, është edhe më mirë.
Mendoj se gjëja më e rëndësishme, jo vetëm në sport por edhe në jetë është pasioni për atë që bën. Nuk ka rëndësi nëse është sport apo një fushë tjetër e jetës. Duhet të punosh fort dhe të ndjekësh ëndrrat e tua. Me këto dy përbërës, besoj se është shumë më e lehtë të arrish qëllimet”.
