RTSH nis përgatitjet për fazën më të rëndësishme të organizimit të Festivalit të Pranverës i cili rikthehet pas më shumë se dy dekadash në RTSH. Në mënyrë që festivali të krijojë vizibilitet sa më të madh për te gjithë teleshikuesit dhe të përfshijë çdo artist apo të ri që ka dëshirë të bëhet pjesë e eventit.
Drejtoresha e Përgjithshme, Eni Vasili njoftoi se u vendos të hiqet kriteri i moshës duke i dhënë mundësi të jenë pjesë e garës të gjithë artistët e interesuar.
“Debati nëse do të kishim një kufizim moshe në Festivalin e Pranverës, është më se i mirëpritur në fakt sepse tregon vlerën që ka për këtë festival. Ne e biseduam edhe me drejtorët artistik të festivalit, siç është Kaçinari dhe Saraçi, gjerësisht këtë çështje dhe vendosëm që ne të heqim kufizimin e moshës. Kjo për ti dhënë një mundësi kujtdo që dëshiron të vij në Festivalin e pranverës, të garoj me një këngë dhe pse jo të fitoj. Sigurisht ideja e parë për të kufizuar moshën ishte për ti dhënë një mundësi të rinjve dhe siç thotë Kaçinari nuk kishte kufizues, përkundrazi ishte një lloj motivimi për të rinjtë, por meqenëse ka interes edhe tek ata përpos të 30-ve jemi më se të hapur dhe shumë të lumtur që të vijnë’, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH, Eni Vasili.
Drejtoresha e RTSH po ashtu njoftoi se për këtë arsye do të shtyhet edhe afati I dorëzimit të materialeve muzikore.
“Kemi hequr kufizimin e moshës, tashmë ky festival mund të aksesohet nga të gjithë dhe për ti dhënë mundësi të gjithëve kemi shtyrë edhe datat për dorëzimin e këngëve, jo nga 7-13 siç e kishim, por nga data 7-18 është koha ku të gjithë të interesuarit mund të dorëzojnë këngët e tyre pranë RTSH”, u shpreh Vasili.
Për të pasur përgatitje sa më efikase për Festivalin e Pranverës ku të rritet performanca e transmetuesit publik, Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH, Eni Vasili, mblodhi në një takim organizatorët e festivalit, moderator dhe drejtues të produksionit të RTSH. Takimi synonte koordinim sa më të mirë për pasqyrimin e kësaj ngjarje artistike.
“Interesi i post 30 vjeçarëve na gëzon, po i presim me kënaqësi të madhe. Falënderojmë RTSh për besimin që na ka dhënë”, u shpreh maestro Alfred Kaçinari.
Por vëmendja e RTSH gjatë javëve në vazhdim do ti kushtohet dhe Eurovizionit, ku Shqipëria përfaqësohet nga Alis Kallaçi, me këngën e tij “Nan”, ndaj pjesë e takimit të sotëm ishte dhe këngëtari.
“Turi ka qenë të paktën për këtë vit, surprizë duke marrë parasysh që ishte dhe hera e parë dhe nuk e dija si funksiononte, por turi ka qenë si një fushatë shumë e shëndetshme për këngët dhe ne na ka rezultuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Duke marrë parasysh që dhe artistët e tjerë ishin shumë të hapur për me bashkëngjit pjesën e kontentit, për të kënduar këngët e njëri tjetrit”, u shpreh këngëtari.
Takimi i sotëm konsultativ synon të maksimalizoje jo vetëm shikueshmërinë e prodhimeve artistike të RTSH por dhe tu japë mbështetje artistëve të karrierës, artistëve të rinj dhe të gjithë atyre që duan të promovohen në RTSH.
Transmetuesi Publik vazhdon përpjekjet për të sjellë gjithmonë një buqetë programesh që i përgjigjen interesit të publikut.
