“Skandal pas skandali ka nisur historia e mandatit të dytë të qeverisë Rama”. Kështu shprehet gazetari Blndi Fevziu, i cili mendon se kryeministri Edi Rama nuk po qeverisë dot. Në një intervistë për emisionin ‘A Show’ në ‘News24’ Fevziu e sheh si një fenomen të zakonshëm jo vetëm për këtë qeveri por edhe të mëparshmet, një farë mallkimi që iu ndodh në mandatin e dytë.


Një ndër skandalet më të mëdha të qeverisë së Ramës është çështja e rrëmbimit të personave në Vlorë. Për Blendi Fevziun, rrëmbimi i personave në Vlorë, është një ndër ato ngjarjet që të kujtojnë Italinë e mafias së viteve 50, apo zonat më të këqija mafioze të globit. “Është një histori kriminale që duhet të marrë fund. Pas atij emisioni kur unë kam trajtuar këtë temë, kam kuptuar se në këtë ngjarje kriminale janë të përfshirë absolutisht oficerë të policisë së shtetit”, tha Fevziu.


I pyetur për qeverisjen Rama në mandatin e dytë të saj, Fevziu beson se Rama nuk po qeveris dot pasi është mbërthyer nga skandalet e njëpasnjëshme.


“Kjo qeveri është shumë më keq në mandatin e dytë të saj. Nuk po qeveris dot. Skandal pas skandali. Rreth gjashtë muaj me çështjen e Tahirit, gjashtë muaj me vëllain e Fatmir Xhafës, tani me çështjen e studentëve, m çështjen unazës, që tregon që skandal pas skandali nuk po e lejojnë që të ketë një qeverisje normale. Ka një mallkim të mandatit të dytë në Shqipëri që e kanë vuajtur të gjithë kryeministrat. Mandati i dytë është një lloj zvarritje për kryeministrit por për fat të keq është zvarritje për vendin”, tha Fevziu.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb