Banorët e fshatit Varibop, në bashkinë e Fierit, dolën në protestë për shkak të mungesës së ujit të pijshëm. Ata deklarojnë se prej muajit maj furnizohen me ujë vetëm për 10 minuta në ditë, situatë që përsëritet çdo vit nga maji deri në tetor.

Qytetarët, që pretendojnë se janë taksapagues të rregullt, janë detyruar të mbushin ujë nga burimet lokale ose të blejnë ujë me autobotë për nevojat e përditshme. Banorët theksojnë se kanë kërkuar zgjidhje nga institucionet përgjegjëse, por kanë marrë vetëm premtime pa konkretizim.

Pas reagimit të tyre, News24 kontaktoi Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, ku u bë e ditur se në total në fshat janë 241 abonentë që marrin sasinë e nevojshme të ujit. Megjithatë, shtimi i konsumit gjatë muajve të verës e vështirëson furnizimin e vazhdueshëm.

Drejtoria po punon për hartimin e një plani masash për parandalimin e shpërdorimit të ujit të pijshëm, duke inspektuar zonat me ndihmën e Task Forcës, në përpjekje për të përmirësuar situatën.

Banorët e Varibopit presin që premtimet të kthehen në veprime konkrete për t’u dhënë fund krizës së ujit që rëndon prej vitesh në komunitetin e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb