Nga: DAFINA KOLA*
Stela Gogaj, një ish-nxënëse e gjimnazit privat “Mësonjëtorja Dertliu”, në Fier është pajisur me dy vërtetime me listë notash brenda një jave, por që me një përllogaritje të thjeshtë matematikore rezultojnë të jenë shtuar 21 nota të tilla, në regjistër. Vërtetimet Stela Gogaj i tërhoqi për tu transferuar në një shkollë tjetër në qytetin e Fierit, dhe për këtë vuri në dijeni edhe shkollën ku studionte.
Pas parregullsive që konstatoi nxënësja iu drejtua me një ankesë edhe zyrës arsimore të Fierit, e cila pas ngritjes së grupit të punës vërejti se dy vërtetimet e lëshuara nga sekretaria e shkollës private “Mësonjëtorja Dertliu” nuk përputheshin më njëra-tjetrën. E në fakt këto dy vërtetime qartësisht dhe lehtësisht të dallueshme nga njëra-tjetra nuk korrespondojnë, duke bërë që nxënëses t’i ulej mesatarja nga 9.6 që e kishte në vërtetimin e lëshuar më 17.02.2015, në 8.6 në listën e notave të lëshuara një javë më pas, pikërisht në datën 24.02.2015.
“Presioni” që i është bërë nxënëses, Stela Gogaj nga shkolla “Mësonjëtorja Dertliu” për ndryshim të notave brenda një jave, nuk është i rastësishëm. “Kërcënimi” i administratores, pronares dhe drejtoreshës së kësaj shkolle, Merita Dertliu ndaj Stela Gogaj ishte real. E në fakt Drejtoria Arsimore e Fierit nuk ndërmorri asnjë masë administrative ndaj këtij institucioni arsimor jopublik, duke dhënë për të vetëm disa rekomandime. Por një tjetër problematikë që doli gjatë investigimit ishin edhe tre shkresa zyrtare të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Fierit, të cilat kanë të njëjtën formë dhe përmbajtje, për tre nxënës të shkollës “Mësonjëtorja Dertliu”, por që në fakt janë lëshuar me të njëjtin numër protokolli, që ligjërisht nuk është e lejuar. Ndërkohë për kreun e zyrës arsimore të Fierit, Z.Shkëlqim Allkaj këto shkresa janë brenda rregullave të kuadrit ligjor.
(ma.ar/BalkanWeb)
